Botë

Realizohet fluturimi i parë tregtar Tel Aviv-Dubai

Për herë të parë, një avion tregtar izraelit u ngrit sot nga aeroporti Ben Gurion në Dubai, një ngjarje që u bë e mundur nga marrëveshjet e normalizimit midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Fluturimi, i kryer nga kompania izraelite “Israir”, ishte në dyshim deri dje, sepse nuk kishte asnjë autorizim nga Arabia Saudite për të kaluar në hapësirën e saj ajrore.

Sipas raporteve të medias, një ndërhyrje diplomatike amerikane theu, më në fund bllokimin dhe këtë mëngjes 180 izraelitët e parë u paraqitën në sallën e hipjes në bord.

Ndërkohë, një delegacion ministror nga Bahreini pritet në Izrael sot, i dyti në dy javët e fundit.

Ai drejtohet nga ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Rashid al-Zayani, i cili shoqërohet nga rreth 40 sipërmarrës.

Programi treditor përfshin takime me kryeministrin Benyamin Netanyahu, ministrin e Jashtëm Gaby Ashkenazi, si edhe vizita në bizneset dhe në bursën e diamantit “Ramat Gan” pranë Tel Avivit./ ATSH