Botë

Në Manastir gjenden 15.000 granata të Luftës së Parë Botërore

Autoritetet në Maqedoni kanë zbuluar një lokacion në qytetin e Manastirit me 15.000 granata të Luftës së Parë Botërore, ka bërë të ditur TV Telma, përcjell Kossev të mërkurën.

Municioni është gjetur në afërsi të stadiumit të Manastirit.

Sipas mediave, 5.000 granata të kalibrit 75 milimetra tashmë janë deponuar në një kazermë në Manastir, 5.000 të tjera janë gati të transportohen, kurse po aq janë ende në tokë.

“Janë rreth 15.000 copë. Këto përbëjnë 120 tonë granata, në të cilat ka pesë tonë trotil. Por me kaq nuk ka përfunduar. Të hënën duhet të ndalet qarkullimi, të prishet rruga në mënyrë që të vijmë deri te niveli ku janë fshehur granatat në tokë”, ka thënë drejtuesi i ekipit piroteknik, Eftim Mitrov.

Siç raportohet, pozicioni ishte i braktisur nga një prej palëve në Luftën e Parë Botërore, por ende nuk dihet për cilën bëhet fjalë.

“Kjo sasi municionit në një vend jo që nuk është gjetur kurrë në Maqedoni, por as në Ballkan. Ende nuk dihet se cilës palë i ka takuar, por është fat për ne që ushtarët kur janë larguar i kanë marrë siguresat në mënyrë që kundërshtarët të mos i shfrytëzojnë. Po të ishin me siguresa, nuk do të kishte mënyrë t’i nxjerrim nga toka”, ka thënë Mitrov.