Botë

Pandemia, sfida kryesore gjatë 15 vjetëve të Merkelit në pushtet

Foto: Reuters

(Reuters) - Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë 15 vjet pushtet, një vit më pak se kancelari Helmut Kohl që qeverisi me Gjermaninë nga viti 1982 deri më 1998.

Merkeli që u rrit në Gjermaninë Lindore para se të emërohej nga Kohl në post ministror, dikur kishte thënë se ai ia ndryshoi krejt shtegun e jetës me ribashkimin e Gjermanisë në vitin 1990.

Ani pse gjatë kësaj jave ka thënë se ndalimi i kontakteve për gjermanët për shkak të pandemisë së koronavirusit ishte vendimi i saj më i vështirë në karrierën politike, menaxhimi i krizës së refugjatëve të vitit 2015 shpesh cilësohet si periudha më e turbullt e pushtetit të saj.

Atë vit më shumë se 1 milion refugjatë kërkuan mbrojtje në Gjermani.

Në tetorin e vitit 2015, popullariteti i Merkelit ishte në nivelet më të ulëta në katër vjetët e fundit dhe ishte pasqyrim i shqetësimeve për shkak të fluksit të madh të refugjatëve.

Merkeli u lavdërua në vend dhe jashtë për qasjen mikpritëse ndaj refugjatëve, shumë prej të cilëve iknin nga konfliktet në Lindjen e Mesme.

2005-ta shënon vitin kur Gjermania për herë të parë u bë me kancelare dhe liderja e parë e shtetit që ishte rritur në Gjermaninë Lindore. Ardhjen në pushtet e bëri me fitoren e ngushtë ndaj socialdemokratit Gerhard Schroeder.

Ajo studioi fizikën në Universitetin e Lajpcigut, duke arritur doktoratën ndërsa kristian-demokratëve iu bashku në vitin 1990. Vetëm një vit më vonë, u bë anëtarja më e re e kabinetit të kancelarit Kohl si ministre për gratë dhe rininë.

Në vitin 1994 u bë ministre e Ambientit ndërkaq gjashtë vjet më vonë u zgjodh lidere e CDU-së pasi partia dhe Kohli u përballën me skandalin për fonde të jashtëligjshme.

Merkeli u shkurorëzua nga bashkëshorti i parë Ulrich Merkel në vitin 1982. Është e martuar me profesorin e kimisë Joachim Sauer që prej vitit 1998. Nuk ka fëmijë.

Është adhuruese e muzikës klasike dhe gjatë kohës së lirë i pëlqen ecja nëpër alpet gjermane.