Botë

Kinezët të gatshëm për ta marrë vaksinën që s’është ende e sigurt

Shumë njerëz thonë se janë qetësuar për shkak se politikanët dhe zyrtarët janë vaksinuar. Por ekspertët thonë se rreziqet janë më të mëdha se përfitimet.

Ethan Zhangut i duhej të kthehej përsëri në punë. Sidoqoftë puna ishte në Ivory Coast dhe që prej janarit përkthyesi 26-vjeçar është bllokuar në Kinë për shkak të shpërthimit global të koronavirusit.

Më vonë miqtë e Zhangut i treguan një mënyrë se si mund t’i bjerë në duar ai që mund të jetë çmimi më i lakmueshëm në botë: vaksina e koronavirusit. Edhe pse kandidatët e Kinës për vaksinë zyrtarisht nuk janë dëshmuar të sigurt apo të efektshëm, mjekët i kanë vaksinuar mijëra njerëz në vend, gjoja me anë të një politike të përdorimit emergjent.

Shqetësimi qytetar

Një fushatë e tillë, i kishte thënë shoku i tij, ishte në rrugë e sipër në qytetin e Yiwut, në perëndim të Kinës. Zhang u nis atë natë me aeroplan nga Pekini për në Yiwu. Ai priti në radhë për katër orë jashtë spitalit. Pagoi 30 dollarë. E mori vaksinën.

Dhe ishte pak i shqetësuar se substanca që e kishte marrë në krah ishte ende në fazën testuese, një gjë që është duke i shqetësuar ekspertët globalë të shëndetësisë.

“Ndihem më i çliruar që tani jam i mbrojtur”, ka thënë Zhang. “Pasi që ata filluan t’i përdornin në njerëz me një rregull të përdorimit emergjent, kjo tregon se ka garanci të caktuar”.

Kina i ka krijuar kandidatët e saj të vaksinës pa i dëshmuar mjaftueshëm sigurinë e saj dhe efektshmërinë në një vend që ka qenë skeptik për vaksina pas një numri skandalesh të cilësisë. Zyrtarët e qeverisë dhe ekzekutivët kryesorë farmaceutikë flasin me krenari se janë vaksinuar.

Fushata me gjasë ka pasur goxha sukses. 500 dozat e Yiwus janë harxhuar brenda pak orësh. Qytetet e tjera po i kufizojnë dozat dhe po kërkojnë nga njerëzit të paraqesin ndonjë dëshmi se janë duke udhëtuar.

Këta përdorues ka mundësi që kanë marrë rrezik të madh. Njerëzit që kanë marrë vaksina jo të efektshme mund të besojnë se janë të sigurt dhe mund të bien pre e rrezikut. Ata mund të privohen nga marrja e një vaksine tjetër më të mirë për shkak se tashmë janë vaksinuar. Në disa raste në të kaluarën vaksinat e padëshmuara kanë shkaktuar rreziqe shëndetësore.

Paqartësitë

“Këto lloj rreziqesh nuk janë publikuar qartë”, ka thënë Yanzhong Huang, anëtar për shëndetin global në Këshillin për Raporte të Huaja dhe ekspert i shëndetit shëndetësor në Kinë. Çfarëdo raportimi i vdekjeve dhe sëmundjeve mund të shkaktojë mosbesim në vaksina. Kina ka kaluar disa vjet duke u munduar ta pastrojë industrinë e saj të vaksinave pas skandaleve. “Rrezikojmë që ta humbim besimin e njerëzve nëse vërtet shfaqen efekte negative”, ka thënë Kristine Macartney, drejtor i Qendrës Kombëtare për Hulumtime dhe Mbikëqyrje të Imunizimit në Sidnei, Australi.

Është e paqartë se sa shumë njerëz tashmë e kanë marrë një kandidat të vaksinës. Kina ka arritur fazën e fundit të studimit me tre nga katër kandidatët e saj, të quajtur testimet e fazës 3, të disponueshme për dhjetëra e mijëra punëtorë në bizneset shtetërore, zyrtarët shtetërorë dhe ekzekutivët e kompanive që nga korriku.

Sapo të përfundojnë testimet e fazës 3, kompanitë do t’i dërgojnë rezultatet te rregullatorët e vendeve që duan t’ua shesin vaksinën. Autoritetet do ta rishikojnë dhe do të kërkojnë miratim.

Qeveritë lokale kanë treguar se planifikojnë për t’i vënë në dispozicion vaksinat e tanishme për më shumë njerëz. Pekini ka thënë se i ka përcjellë ata që i kanë marrë vaksinat dhe nuk ka shpalosur ndonjë hollësi.

Dallimi me Shtetet e Bashkuara është i zymtë. Një numër i madh i anketave ka treguar se shumë amerikanë nuk do ta marrin vaksinën kundër koronavirusit, që mund t’i rrezikonte përpjekjet për ta shkatërruar pandeminë. Sipas një ankete globale online të publikuar në tetor në gazetën “Nature”, respondentët nga Kina kanë dhënë numrin më të lartë të përgjigjeve pozitive kur janë pyetur nëse do ta merrnin “një vaksinë të dëshmuar, të sigurt dhe të efektshme”.

“Në Kinë ekziston prirja se “të gjithë po e marrin, kështu që dua edhe unë”, ka thënë Jennifer Huang Bouey, një hulumtues i politikave në “RAND Corporation”. “Problemi i tyre ndryshon nga ShBA-ja. Ata me gjasë duhet të mendojnë se si mos ta krijojnë një turmë kur ta marrin vaksinën, jo aq shumë se si të mundohen ta publikojnë.

Mbrojtja zyrtare

Zyrtarët kinezë e kanë mbrojtur nxjerrjen në dispozicion të kandidatëve të vaksinave. Zheng Zhongwei, zyrtar kryesor në Komisionin Shëndetësor Kombëtar të Kinës, ka thënë muajin e kaluar se ky hap ka qenë “shumë i rëndësishëm për shkak se mbron shëndetin dhe jetët e njerëzve”, për shkak të shpërthimeve në tërë vendet.

Javën e kaluar, udhëheqësi i “Sinopharm”, Liu Jingzhen, ka bërë të ditur se afro 100,000 njerëz e kanë marrë vaksinën e kompanisë dhe asnjëri prej tyre nuk ka pasur reagime negative deri më tani. Ai ka thënë se 56,000 prej tyre kanë udhëtuar jashtë pasi e kanë marrë vaksinën dhe asnjë nga ta nuk është infektuar.

Udhëheqja e Kinës është bërë euforike, shumë nga ta kanë festuar faktin se vendi ka kandidatë në fazën e fundit të testimit.

Wang Mingtao, punëtor 43-vjeçar në kompaninë e minierës së arit në Ghana, ka publikuar një video në aplikacionin “Douyin”, version kinez i “Tiktok”-ut, ku shihen njerëzit tek presin në radhë për vaksinë në degët në Pekin të “Sinopharm”, kompania farmaceutike në pronësinë e shtetit kinez, me parullën: “Vendi im është i fuqishëm”.

Wang, që ka udhëtuar për në Pekin nga qyteti verior i Xianit, ka thënë se nuk ka qenë i brengosur rreth vaksinës eksperimentale. Ai ka paguar 150 dollarë për vaksinë në filialin “Sinopharm”, Instituti i Pekinit për Produkte Biologjike.