Botë

Protesta për Trumpin kthehet në përplasje të dhunshme, disa të arrestuar

Mijëra mbështetës të presidentit Donald Trump kanë marshuar në Uashington, një javë pasi demokrati Joe Biden fitoi zgjedhjet presidenciale, teksa protestat kundër rezultateve zgjedhore kanë përplasur protestuesit ku një është plagosur e të paktën 20 janë arrestuar.

Qytete të tjera po ashtu u ballafaquan me tubime të tilla, nga të cilat dëgjoheshin thirrjet “Stop vjedhjes” dhe “Numëroni çdo votë”, pavarësisht se nuk ka prova që mbështesin pretendimet e Trumpit se ka pasur mashtrim me numërimin e votave, raporton AP.

Gjatë natës, demonstratat paqësore u kthyen në të dhunshme. Videot e postuara në rrjetet sociale shfaqnin rrahje me grushta dhe gjuajtje të gjësendeve. Tensionet u përshkallëzuan të dielën në mëngjes. Një sërë akuzash u ngritën për armëmbajtje dhe sulm, ndaj të arrestuarve, kishte thënë policia. Dy policë ishin lënduar dhe disa armë zjarri ishin gjetur, raporton AP.

Në fillim të ditës Trumpi kaloi para marshuesve me autokolonën e tij, duke buzëqeshur dhe duke i përshendetur. Trump po shkonte për të luajtur golf.

Marshimi, i cili përfshiu anëtarët e grupit të ekstremit të djathtë “Proud Boys” (Djemtë Krenarë), ishte kryesisht paqësor gjatë ditës, por natën disa kundër-demonstrues dolën në rrugë dhe iu drejtuan mbështetësve të Trumpit me thirrjet: "Ju keni humbur!".

Demonstrata kundër fitores së ngushtë të Bidenit, u mbajtën më 14 nëntor edhe në Florida, Miçigan dhe Arizona. Biden është projektuar si fitues i zgjedhjeve të 3 nëntorit bazuar në fitoret në mjaft shtete duke siguruar më shumë se 270 vota të Kolegjit Zgjedhor. Por, Trump ende nuk e ka pranuar rezultatin.

Ai dhe ekipi i tij ligjor kanë filluar një sërë sfidash ligjore, pavarësisht se zyrtarët e zgjedhjeve në të gjithë vendin kanë thënë se ata nuk panë prova të parregullsive serioze. Trump ende nuk e ka mbajtur fjalimin e zakonshëm të humbjes, dhe është zotuar të vazhdojë me kundërshtimin. Avokatët e tij kanë filluar një seri betejash të ashpra ligjore kundër rezultateve në disa shtete dhe deri më tani nuk kanë arritur ndonjë sukses.

Rrjetet televizive amerikane më 13 nëntor parashikuan rezultatet në dy shtetet e fundit të padeklaruara, duke thënë se Biden fitoi Xhorxhian në një garë jashtëzakonisht të afërt, dhe Trump siguroi fitore në Karolinën e Veriut.

Nëse rezultatet nga Xhorxhia qëndrojnë, Biden do të ketë një epërsi të gjerë 306-232 ndaj Trump në Kolegjin Zgjedhor.

{gallery}