Botë

“CureVac” thotë se vaksina e saj anti-COVID mund të ruhet në frigoriferë standardë

Një kompani gjermane ka thënë se vaksina e saj kundër koronavirusit mund të ruhet në frigoriferë standardë deri në tre muaj, duke kaluar një pengesë të madhe për distribuim.

Në një njoftim për media, “CureVac” ka thënë se vaksina e saj potenciale kundër virusit, “CVnCoV”, mbetet stabile dhe ruan specifikat për gati tre muaj kur ruhet në temperaturë deri në 5 gradë celsius dhe deri 24 orë mund të jetë efikase për përdorim nëse ruhet në temperaturë dhome.

“Transporti dhe ruajtja e vaksinave kërkon konfigurime tejet të ulëta të temperaturave për t’i mbajtur në gjendje stabile. Kjo ka qenë ndër temat kryesore”, ka thënë Florian von der Mulbe, shef i prodhimit në “CureVac”. “Jemi tejet të lumtur për profilin e stabilitetit të vaksinës sonë anti-COVID për qëndrueshmëri në temperaturë të frigoriferit standard dhe hapësira me temperaturë dhome”.

Vaksina, që është afër fazës së tretë të testimit klinik, do të ofronte një alternativë të vaksinës së “Pfizerit”, që ka rezultuar 90 për qind efikase ndaj koronavirusit në testime, por që i duhet mirëmbajtja në temperatura tejet të ulëta.

Vaksina e “Pfizerit” duhet të ruhet në temperaturë minus 70 gradë celsius ose më ftohtë.