Botë

Kanë filluar Zgjedhjet presidenciale 2020 në SHBA

Uashington, 3 nëntor – Qendrat e votimit u hapën sot për zgjedhjet presidenciale amerikane, ku garojnë presidenti aktual, Donald Trump, i cili po kërkon një mandat të dytë, dhe rivali i tij, demokrat, Joe Biden.

Disa nga shtetet kryesore në bregun lindor i hapën qendrat e votimit në orën 11:00 GMT si Nju Jorku, Nju Xhersi, Konektikati dhe Meini.

Fshatrat Dixville Notch dhe Millsfield në New Hampshire tashmë kanë njoftuar rezultatet e tyre, me Biden që fiton pesë vota në Dixville Notch dhe Trump 16 vota në Millsfield.

Vendvotimet u hapën në mesnatë (05:00 GMT) në dy fshatrat pranë kufirit kanadez, të cilat kanë ruajtur traditën që nga viti 1960, pavarësisht nga pandemia e koronavirusit këtë vit.

Më pas, votimet do të hapen në gjashtë zona kohore në 50 shtetet pjesëmarrëse në zgjedhje. Procesi zgjedhor do të mbyllet në Alaska.

Në të gjithë vendin, rreth 100 milionë persona kanë votuar tashmë, përmes votimit postar.

Në vitin 2016, gati 140 milionë amerikanë votuan gjithsej dhe vëzhguesit spekulojnë se pjesëmarrja e votuesve të këtij viti mund të thyejë rekorde.

Me Biden që kryeson vazhdimisht sondazhet, madje edhe në shtetet vendimtare, Trump, po lufton për të mbajtur Shtëpinë e Bardhë pas katër viteve të trazuara në detyrë.

Rezultati, megjithatë, është larg të qenët i sigurt.

Zgjedhësit nga të gjitha shtetet po votojnë për një numër çështjesh të tjera, duke përfshirë 35 vende të Senatit, të gjithë Dhomën e Përfaqësuesve, zyra të shumta shtetërore dhe lokale dhe një mori referendumesh për çështjet politike, deri tek e taksat dhe ligjet kundër drogës.

Vëmendje e madhe është përqendruar në shtetet kyçe Pensilvania dhe Florida, shtete që duket se janë të ndara në gjysmë dhe kanë peshë të konsiderueshme në Kolegjin Zgjedhor.

Në garën për presidencën, vota popullore kombëtare nuk është ajo që ka rëndësi.

Përkundrazi, secili shtet merr një numër votash elektorale bazuar në madhësinë e popullsisë së tij: fituesi duhet të marrë shumicën, dhe disa shtete kryesore pritet të përcaktojnë rezultatin.

Për shumë votues, çështjet kryesore në zgjedhje janë pandemia, ekonomia dhe kujdesi shëndetësor, së bashku me fusha më specifike siç janë të drejtat dhe kontrolli i armëve, mjedisi dhe aborti./ ATSH – DPA.