Botë

Turqia teston sistemin raketor rus S-400

Një raketë është lansuar të premten nga brigjet detare turke të Detit të Zi, ku ushtria pritej që ta testonte sistemin e mbrojtjes raketore S-400, të blerë nga Rusia.

Një video e publikuar nga agjencia e lajmeve “Reuters”, realizuar nga qyteti bregdetar Sinop, ka shfaqur pamjet e një reje të dendur tymi që ngrihet në qiell. Turqia pritej që të testonte sistemin gjatë kësaj jave, pasi që kishte lëshuar paralajmërime për anijet dhe luftanijet që të shmangin zonën e Detit të Zi.

Televizioni turk “Haber Turk”, një kanal ky i afërt me Qeverinë në Ankara, ka raportuar po ashtu për testimin në ueb faqen e saj, transmeton KOHA shkrimin e Al-Jazeeras.

Ministria e Mbrojtjes ndërkaq ka bërë të ditur se nuk mund as ta konfirmojë dhe as ta mohojë testimin e raketës.

Testimet e sistemit S-400 mund të nxisin tensione të reja ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat e kishin kundërshtuar fuqimisht vendimin e Ankarasë për të blerë armatim nga Moska me pretendimin se këto pajisje nuk përkojnë me sistemet e përbashkëta të mbrojtjes së Aleancës së NATO-s. Ndaj kësaj Washingtoni kishte reaguar gjatë vitit të shkuar me pezullimin e pjesëmarrjes së Turqisë në programin e tij të aeroplanëve F-35 dhe ka kërcënuar që ta vërë vendin në shënjestër të sanksioneve.

Të premten, Departamenti amerikan i Shtetit ka paralajmëruar për “pasoja potenciale serioze” në marrëdhëniet e saja me Turqinë nëse ajo e aktivizon këtë sistem.

“Nëse konfirmohet, atëherë do ta dënonim në mënyrën më të ashpër testimin e raketës S-400, duke qenë se ai nuk përputhet me përgjegjësitë e Turqisë si aleate e NATO-s dhe partnere strategjike e SHBA-së”, ka thënë përmes një deklarate zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus.