Botë

Çekia nga nesër mbyll restorantet, baret e shkollat

Nga nesër, datë 14 tetor, Republika Çeke shtrëngon masat kufizuese kundër koronavirusit.

Ky vend, në javët e fundit, ka regjistruar rritjen më të shpejtë të rasteve në Evropë, për kokë banori.

Mbrëmjen e së hënës, Qeveria çeke njoftoi se, nga 14 tetori, të gjitha restorantet, baret dhe klubet do të mbyllen deri më 3 nëntor.

Të gjitha shkollat, përveç kopshteve, do të mbyllen deri më 2 nëntor dhe do të kalojnë në mësime online.

Tubimet e njerëzve në publik do të kufizohen në gjashtë vetë.

Qeveria çeke ka ndërmarrë disa masa kufizuese edhe javën e kaluar, përfshirë mbylljen e palestrave, pishinave, kinemave, teatrove dhe muzeve.

Kryeministri çek, Andrej Babis, tha se më 3 nëntor, masat do të rivlerësohen, zgjaten, modifikohen ose shfuqizohen.

Javën e kaluar, Çekia ka regjistruar rekord të reasteve me koronavirus brenda një dite: mbi 8,600, ndërsa numri i pacientëve të shtruar në spitale është rritur për 76 për qind, përkatësisht në mbi 2,000.

Ky vend aktualisht ka të konfirmuara mbi 121,400 raste me koronavirus.

Prej tyre, mbi 62,000 raste mbeten aktive. Numri i viktimave aktualisht qëndron në 1,051/REL.