Botë

Dashuria që lindi në ballkonet e karantinës

Ishte dashuri në shikim të parë. Dhe ishin kohë të pashembullta.

Michelle D’Alpaosit 38-vjeçar i kujtohet me saktësi të palëkundshme momenti i parë kur sytë e tij u ngulitën drejt atyre të 40-vjeçares Paola Agnelli.

Vendi i tyre i takimit, sikurse vetë kohët nëpër të cilat po kalonin, ishte i pazakontë.

Në ballkone të veçuara. Aty ku gjatë fillimit të këtij viti pandemia e koronavirusit e kishte imponuar zhvillimin e një fije jetese normale në jashtëzakonshmërinë e izolimeve dhe karantinës së pashembullt të Italisë, si rrjedhojë e furisë me koronavirusin.

Çifti italian që u bë simbol i izolimit nga koronavirusi tani është fejuar, duke u shndërruar kësisoj në Romeon dhe Zhuljetën e kohëve moderne, meqë fillimin e rrugëtimit për bashkimin e jetëve e realizuan në po të njëjtin qytet ku dhe u zhvillua takimi i dy protagonistëve të rrëfimit legjendar të dashurisë, thurur nga Shakespeare.

“Ishte pasditja e 17 marsit, ditë kur isha shtrënguar që të punoja nga shtëpia për shkak të izolimit nga pandemia e koronavirusit”, rrëfen D’Alpaos për CNN-in. “Atë moment e pashë këtë vajzën e bukur, Paola. Menjëherë disi u shtanga nga bukuria e kësaj vajze, nga buzëqeshja e saj mrekulluese. Aty për aty vendosa prerazi se gjithsesi më duhej ta njihja”.

Komunikimet deri në mëngjes

Çifti kishte pothuajse tërë jetën që jetonte në ndërtesat karshi njëra-tjetrës, por kurrë nuk kanë qenë në dijeni për ekzistencën e tjetrit. Ama atë pasdite, derisa motra e Paolas po luante me violinë në ballkon, siç qe bërë zakon gjatë pandemisë për të gjetur sado pak argëtim në kohën e ngujimit përbrenda shtëpive, Agnellit i ra në sy shikimi ngulitës i D’Alpaos.

“Menjëherë mendova se çfarë djaloshi i pashëm ishte ai”, tregoi Agnelli për agjencinë amerikane. “Mendova në atë kohë se ai më ishte dërguar enkas nga Zoti”.

Teksa që të dy ishin krejtësisht të huaj deri në atë moment, fati prapëseprapë e gjeti një mënyrë që t’i takonte disi në të njëjtin vend.