Botë

Konflikti që rrezikon ta ndezë një luftë më të gjerë

Në shkallë dhe shtrirje, luftimet që kanë shpërthyer të dielën e shkuar midis forcave armene dhe atyre azerbajxhanase përreth territorit të kontestuar të Nagorno-Karabakhut në Kaukazin Jugor i tejkalojnë përshkallëzimet sporadike të viteve të fundit, me përfshirjen e artilerisë së rëndë, tankeve, predhave dhe dronëve.

Deri më tani aty kanë vdekur më shumë se 100 persona, mes të cilëve shumë civilë dhe luftëtarë armenë të qëlluar në aksion. Azerbajxhani nuk i ka publikuar të dhënat për humbjet e veta ushtarake, por ato mund të supozohet të jenë të paktën po kaq të larta.

Luftimet duket se janë nxitur nga një përpjekje e forcave azerbajxhanase për t’i rizaptuar pjesët e territoreve të okupuara nga forcat armene në luftën e Karabakhut, pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Me qindra e mijëra azerbajxhanas janë zhvendosur prej këtyre zonave në vitet 1992-94.

Përshkallëzimi e pason një vit të tensionuar me përplasje diplomatike, retorikë të ashpërsuar dhe përleshje në veri të rajonit të kufirit ndërkombëtar midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Cilat janë rreziqet?

Përshkallëzimet e mëhershme midis forcave armene e azerbajxhanase janë ndalur, pas pak ditësh. Intensiteti i luftimeve aktuale lë të kuptohet se kjo gjë mund të mos jetë e mundur kësaj radhe. Rajonet e banuara përbrenda territorit të kontestuar të Nagorno-Karabakhut janë goditur me sulme raketore dhe bombardime për të parën herë që nga vitet ‘90. Caqet civile në Armeni dhe Azerbajxhan janë goditur po ashtu.

Të dyja palët duket se janë duke gërmuar drejt një konflikti më të gjatë. Azerbajxhani i ka hedhur poshtë disa herë thirrjet për negociata me Armeninë dhe, për dallim prej përshkallëzimeve të mëhershme, tani ka mundësi më të madhe për të llogaritur në mbështetjen e Turqisë. Ama rreziku është se sa më i gjatë dhe më i prolonguar të jetë konflikti, aq më shumë ka gjasa për përfshirjen e forcave të jashtme në atë që rrezikon të shkaktojë një luftë më të gjerë rajonale.