Lifestyle

Dy të pestat e bimëve në botën rrezikojnë zhdukjen

Dy të pestat e të gjitha bimëve të botës janë në rrezik për t’u zhdukur, kanë paralajmëruar të mërkurën shkencëtarët.

Studiuesit kanë bërë të ditur se janë duke humbur kohë për të emëruar dhe përshkruar speciet e reja, para së ato të zhduken. Bimët përdoren suksesshëm si ilaçe, produkte ushqimore dhe karburante, thuhet në një raport nga Kopshtet Botanike Mbretërore, Kew.

Por këto mundësi po humbin, pasi që po pakësohen duke përdorur bimët dhe kërpudhat që mund t’u gjejnë zgjidhje problemeve globale, si sigurimi i ushqimit dhe ndryshimi klimatik. Vlerësimi i gjendjes së bimëve të botës dhe kërpudhave është i bazuar në një studim nga më shumë se 200 shkencëtarë në 42 vende të botës. Raporti ishte publikuar në ditën e samitit të Kombeve të Bashkuara, i cili do të rrisë presionin ndaj liderëve botërorë për veprim në adresimin e zhdukjes së biodiversitetit, raporton BBC, transmeton KOHA.

“Po jetojmë në një kohë të zhdukjeve”, ka thënë drejtori për shkencë në Kew, profesori Alexandre Antonelli. “Është pamje shumë shqetësuese për rrezik dhe nevojë për veprim”, ka thënë ai. “Jemi duke humbur kohë për shkak se specie janë duke u zhdukur më shpejt sesa që mund t’i gjejmë e t’i emërojmë ato.

Shumë nga to mund të kenë rol të rëndësishëm për të zgjidhur disa nga sfidat më të mëdha të mjekësisë, madje edhe për pandemitë e tashme që po i shohim sot”.

Raporti ka treguar se vetëm një pjesë e vogël e specieve të bimëve ekzistuese përdoren si ushqim dhe biokarburante. Më shumë se 7000 bimë të ngrënshme kanë potencial për të korrat e ardhshme, por prapëseprapë vetëm një pjesë e vogël përdoren për ta ushqyer popullsinë e botës. Dhe ekzistojnë rreth 2500 bimë që mund ta sigurojnë energjinë për miliona njerëz në botë, përderisa vetëm gjashtë të korra – misër, kallamsheqer soje, vaj palma, farë dhe grurë - gjenerojnë shumicën e biokarburanteve.