Botë

Merkeli: Gjermania mund ta evitojë mbylljen e dytë nga koronavirusi

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë të mërkurën se dëshiron të bëjë çfarëdo që ka në fuqi për të evituar një mbyllje të dytë si pasojë e koronavirusit, ndërsa numri i të infektuarve po vazhdon të rritet në ekonominë më të madhe në Evropë. Ajo ka shprehur besimin se synimi i saj është i arritshëm, shkruan agjencia Reuters.

“Ne të gjithë duam të evitojmë një mbyllje të dytë të shtetit dhe mund ta bëjmë këtë”, ka thënë Merkel, duke shtuar se tash njerëzit dinë shumë më tepër për të ruajtur veten dhe sistemin shëndetësorë sesa që dinin në maj, kur Gjermania vendosi të mbyllej.

Merkel dhe liderët e 16 landeve të Gjermanisë janë pajtuar të zvogëlojnë numrin e personave që lejohen të qëndrojnë në një vend dhe po ashtu të gjobisin këdo që thyen rregullat.

Liderja gjermane ka thënë të martën se duhet evituar me çdo çmim një mbyllje të dytë.

Sipas standardeve evropiane, Gjermania ka përjetuar një numër të ulët të infektuarve dhe të vdekurve nga pandemia deri më tash. Por, Merkel ka thënë se nëse vazhdohet me trendin aktual, atëherë mund të regjistrohen deri në 19.200 raste të reja në ditë.

Gjermania ka regjistruar 2.089 raste të reja me koronavirus të martën, duke çuar shifrën totale në 287.421. Numri i të vdekurve, sipas të dhënave nga Instituti Robert Koch, është 9.471.

Duke folur në parlament, Merkel, ka thënë se masat e reja kufizuese kanë qenë të nevojshme të merren gjatë muajve të dimrit për të shpëtuar jetë, me shpresën se pandemia do të mbarojë një ditë.

“Jam e sigurt se jeta siç e kemi njohur do të kthehet, familjet do të festojnë sërish, klubet, teatrot dhe stadiumet e futbollit do të jenë plotë. Dhe çfarë kënaqësi do të jetë”, ka thënë Merkel.