Botë

Dy policë qëllohen në protestën masive në Louisville

Dy policë janë qëlluar me armë në protestën masive në qytetin Louisville mbrëmë pasi gjykata ka vendosur që policët nuk do të përballen me akuzë për vrasjen të afro-amerikanes së paarmatosur Breonna Taylor, shkruan BBC.

Taylor 26-vjeçare, një punonjëse në spital, ishte qëlluar disa herë nga tre policë që kishin bastisur shtëpinë e saj më 13 mars.

Zyrtari policor, Brett Hankison, është ngarkuar me tre akuza për “rrezikim të paarsyeshëm” gjatë të shtënave.

Dy policët tjerë nuk janë përballur me akuza.

Shefi i Policisë së Louisvillet, Robert Schroeder, ka thënë se policët që janë qëlluar me armë në protestën e të mërkurës nuk janë në rrezik për jetë. Ai ka thënë se një person është arrestuar për këtë ngjarje.

Është shpallur gjendja emergjente në Louisville dhe Garda Kombëtare është vendosur.

Kryebashkiaku Greg Fischer ka caktuar orë policore nga ora 21:00 deri në ora 06:30 në qytet për tri ditë. Përkundër orës policore, turmat e njerëzve prapë janë mbledhur pas orës 21:00. Guvernatori i Kentuckyt, Andy Beshear, i ka bërë thirrje protestuesëve që të shkojnë në shtëpi.