Botë

Vazhdojnë protestat e opozitës në Bjellorusi

Descriptive Text

Dhjetëra e mijëra persona kanë dalë nëpër kryeqendër të Bjellorusisë, Minsk dhe në qytetet tjera, në protestën e radhës masive kundër presidentit Alexander Lukashenko, shkruan BBC.

Një numër i madh i policëve ka bllokuar zonat kyçe.

Policia ka njoftuar se ka arrestuar rreth 250 persona para demonstratës, që është quajtur si “Marshi i Heronjëve”.

Protestat kanë filluar si reagim ndaj zgjedhjeve presidenciale muajin e kaluar, që opozita thotë se janë kurdisur. Policia ka shtypur në mënyrë brutale protestat.

Demonstruesit duan dorëheqjen e Lukashenkos. Mirëpo, lideri bjellorus – që ka qenë në fuqi për 26 vjet – ka mohuar akuzat për kurdisje të zgjedhjeve dhe akuzon shtetet perëndimore për ndërhyrje.

66-vjeçari ka premtuar se do ta mbrojë Bjellorusinë. Shumica e liderëve opozitarë janë arrestuar tashmë apo kanë ikur nga vendi.

Është e diela e pestë rresht me protesta masive, ku afro 100 mijë kanë protestuar çdo javë. Madje raportohet se afro 100 mijë protestues ishin sot nëpër rrugë.

Dëshmitarët thonë se është mbushur qendra e Minskut me demonstrues.

Por, nga Ministria e Brendshme është thënë se deri në ora 15:00 nuk ka pasur më tepër se 3000 protestues nëpër vend. Është njoftuar për arrestime në zona të ndryshme.