Botë

Jerusalemi

Descriptive Text

Në nëntor të vitit 1977 isha dëshmitar i një vizite dramatike në Izrael, fare të papritur të Anuar al Sadatit, president egjiptian, ku u vunë themelet për një paqe më të gjatë në Lindjen e Mesme, pas pesë luftërave shkatërrimtare; Sadati eci në tel mbi humnerën që quhej tradhti, por arriti gjer në fund, pa u lëkundur, me një shportë përplot me marrëveshje, por me pak fruta.

(Botuar në gazetën “Rilindja”, 21-28 nëntor 1977)


Natën e 20 nëntorit 1977, kur në aeroportin “Ben Gurion” të Te-Avivit u hapën dyert e “Boingut” të kryetarit egjiptian, Anuar el-Sadat, për vizitën e tij, sa të guximshme, aq edhe me shumë të panjohura, zbrazëtinë dhe hutinë e theu ai vetë duke pyetur grumbullin e funksionarëve izraelitë që po e pritnin mysafirin e parë zyrtar arab, pas vitit 1948:

- Ku është Ariel Sharoni (komandanti i trupave izraelite, i cili në kundërsulm gjatë luftës së vitit 1973 dëboi ushtrinë egjiptiane përtej Kanalit të Suezit dhe po depërtonte drejt Kajros)?

- Ja ku jam. Më ndoqe në Sinai e më zure në Jerusalem, – iu përgjigj Sharoni, derisa po përshëndetej me Sadatin, armikun e parë ushtarak në disa fushëbeteja gjatë pesë luftërave të kaluara arabo-izrelite.

Në këtë pritje u pa se skeptikët e protokollit nuk kishin pasur të drejtë, derisa po hartonin imtësitë për pritjen e njeriut, për të cilin në Lindjen e Mesme nuk mund të bëhej as luftë as paqe. Ai i theu me shkujdesje të jashtëzakonshme të gjithë këto skepticizma. Banda muzikore e Tel-Avivit e ekzekutoi për herë të parë për mrekulli himnin egjiptian, ndërsa Sadati qëndroi gatitu pa e lëvizur as qepallën e syrit, ndonëse në fytyrë i vërehej ndjenja e triumfit të një burrë shteti që po hapte një epokë të re në Lindjen e Afërt. Derisa po ekzekutohej himni izraelit, të cilin e kishte dëgjuar në radiot e TV-të izraelite, sa herë që kremtoheshin fitoret ushtarake mbi arabët, me gjasë rikujtonte pamjet trishtuese të njerëzve dhe teknikës së shkatërruar mbi zallin e shkretëtirës.

Me kryeministrin Begin ai u soll thuajse ishte parë me të kushedi sa herë më parë. Megjithatë, ishte ky fillim i një pajtimi biblik i dy popujve të përgjakur të një rrënje. Me veturë të përbashkët Begin dhe Sadat u nisën drejt Jerusalemit, nja 50 kilometra larg Tel-Avivit gjatë autostradës së gjerë e të “gardhuar” nga ushtria izraelite.

Komentin e parë të kësaj vizite nga ana e hebrenjve arrita ta dëgjoja nga taksisti, një 25-vjeçar, prindërit e të cilit kishin emigruar nga Polonia.

- Sadati këtu nuk e përfaqëson vetëm Egjiptin, ndonëse sot është i vetmuar, – më tha ai, e pastaj thuajse donte ta përmirësonte konstatimin “vetëm” dhe më pyeti: - A e dini ju se rrugën e Sadatit në Izrael e përkrahën mbreti i Marokut dhe shahu i Iranit?

- Po, por as Sinai e as Golani i pushtuar nuk e shtynë Sadatin të bëjë “tenezyl” e të vijë këtu, por kryesore është çështja palestineze, nga e cila mund të shpërthejë edhe lufta e gjashtë, për të cilën Sadati nuk është më i gatshëm, - i thashë për ta nxitur bisedën.

Shoferi më përcillte çdo fjalë me një kujdes të veçantë.

- E dini, ekzistojnë nja dyzet shtete myslimane. Ato mund t’i pranojnë tek ata nga disa mijëra palestinezë, sipas mundësive dhe vullnetit të tyre. Kështu do të zgjidhej më së lehti problemi palestinez, - fliste ky djalosh me një ton plot vetëbesim.

Gati njësoj mendon shumica e izraelitëve, të cilëve vizita e Sadatit ua poqi idenë e vjetër, e cila mund të përmblidhej përafërsisht kështu: Jemi në gjendje të kthejmë tërë Sinain, një pjesë të Golanit, por kurrsesi ta kthejmë Cisjordaninë dhe Jerusalemin për shtetin e pavarur palestinez.

Helikopterët që fluturojnë pareshtur mbi hotelin “Mbreti David”, ku gjendet rezidenca e kryetarit egjiptian e që shërben edhe sot e kësaj dite si simbol i luftës së popullit hebraik kundër anglezëve deri në vitin 1948, krijojnë një atmosferë të luftës, të cilën me mund të madh po e pushton paqja. Transmetimi i drejtpërdrejtë televiziv i çdo hapi të Sadatit krijon përshtypjen se po ndodh diçka më e madhe se, ç’është e vërteta, pasi që i vetmi element i rëndësishëm i planit të Sadatit që u përmend jozyrtarisht këtu nga pala izraelite është se për pjesën e qytetit të Jerusalemit, ku banon shumica e arabëve palestinezë, do të kujdeset mbreti saudit.

Qyteti i vjetër, siç quhet zemra e këtij qyteti të rrethuar, përbëhet nga katër zona: dy janë kryesisht arabe (myslimane e të krishtera), një zonë është me shumicë armene, kurse zona e katërt tradicionalisht ka qenë dhe ka mbetur hebraike. Përmenden në kuluaret gazetareske edhe mundësi të ndryshme të bashkëpunimit. Përfaqësuesi i qeverisë izraelite, në bisedën që zhvilloi me ne, gazetarët, pas mbledhjes së sotme të qeverisë, përmendi mundësinë që të zgjatej vizita e Sadatit: “Pasi shoh këtë entuziazëm, nuk do të çuditesha edhe nëse Sadati kërkon azil në Izrael”, - aludoi në pakënaqësinë e përgjithshme arabe rreth kësaj vizite.

Zëdhënësi izraelit na tha se qeveria e tij ka miratuar të gjitha propozimet e Sadatit, por pa e përmendur asnjërën. Ai nuk përjashtoi mundësinë që edhe Begini ta vizitojë së shpejti Egjiptin, ndërsa për t’i kënaqur nevojat e palës egjiptiane ky përfaqësues shtoi para opinionit botëror: “Izraeli nuk dëshiron paqe të veçantë me Egjiptin, por paqe të përgjithshme edhe me Libanin, Sirinë dhe Jordaninë.”

Anuar el Sadati erdhi në Izrael me një dorëheqje të parevokueshme të Ismail Fahmiut, ministër i Punëve të Jashtme dhe një tjetër, të paralajmëruar nga Mahmud Riadi, sekretar i përgjithshëm i Ligës Arabe dhe i mbërthyer nga një varg pakënaqësish në tërë botën arabe.

Parashikimet e zeza të kryemyftiut të xhamisë

“Al Aksa”

Mirëpo, ai mbështetet në Arabinë Saudite, e cila ende përpiqet të qëndrojë prapa perdes derisa të shohë epilogun e kësaj vizite të vështirë, me shumë të panjohura. Sadati mblodhi fuqinë që ta luante ruletin më të shtrenjtë në jetën e tij me moton se dëshiron të shpërthejë “barrierën psikologjike” tridhjetëvjeçare të armiqësisë me Izraelin. Mirëpo, duke vëzhguar shikimet e Sadatit derisa atë ditë në fund të nëntorit 1977 po falej në xhaminë me kupolë të artë “Al Aksa” të Jerusalemit, fitohej përshtypja se megjithatë e mundonte pasiguria e madhe e zhvillimeve në të ardhmen. Aq më shumë kur imami i kësaj faltoreje të tretë me radhë myslimane në botë, pas Mekës dhe Medinës, iu drejtua “Rais”-it me këto fjalë: “Arabët në Jerusalem gjenden nën okupim. Na çlironi, sepse, nëse Jerusalemi mbetet nën yllin e Davidit, një ditë do të pushtohet edhe Meka”.

Siç duket pati edhe fjalë të rënda në këtë rrëfim në mëngjesin e parë të Kurban Bajramit në Jerusalem. Kryeimami e ftoi Sadatin “ta çlirojë ‘Al Aksan’, ashtu siç e çliroi Saladini”. (Saladini çliroi Jerusalemin më 1187 nga ushtritë e kryqtarëve). Pati edhe demonstrata para xhamisë ku nja një mijë njerëz brohoritën: “Rroftë Palestina!”. Madje, edhe: “Sadati është tradhtar!”

Në këto momente kryetari Sadat nuk e pati të lehtë. Ai la përshtypjen e një burrështetasi të qetë dhe të përmbajtur. Dëgjoi me vëmendje fjalët e imamit dhe brohoritjet e klithmat rreth vetes. Megjithatë, së paku gjashtë herë nxori shaminë e bardhë për t’i fshirë nga fytyra djersët që i shkonin çurg.

Njeriu që kishte zhvilluar disa luftëra të pasuksesshme kundër Izraelit, tani kishte mbledhur fuqinë titanike të vinte nga Kajroja në Izrael për të bërë paqe, donte ta çlironte veten dhe botën arabe nga një histori e hidhur që më së shkurti mund të përmblidhej kështu: Pas mandatit britanik mbi Palestinën që zgjati nga viti 1918, kur nga Lindja e Mesme, pra edhe nga Palestina, u tërhoq ushtria e Sulltanit, OKB-ja pati miratuar Rezolutën për themelimin e dy shteteve, shtetit izraelit mbi 56 për qind të territorit të Palestinës dhe atij arab me mbi 43 për qind të po atij territori. Më 1948 plasi lufta e parë arabo-iztaelite. Në të morën pjesë të gjitha shtetet arabe, të pakënaqura me themelimin e shtetit izraelit, por e humbën atë luftë, kurse pushteti izraelit u shtri në mbi 78 për qind të tërë territorit të Palestinës. Cisjordaninë me 5.860 kilometra katrorë e mori nën mandat mbreti jordanez Abdullah, për ta ruajtur, mbi rripin e Gazës vuri dorë Egjipti, kurse mbi 600 mijë refugjatë palestinezë u larguan nga vatrat e tyre, duke kërkuar strehim në Cisjordani, Gazë dhe në shtetet e tjera arabe. Lufta njëjavore e vitit 1967 ishte edhe me fatale për arabët. Izraeli pushtoi tërë Sinain, Cisjordaninë, Gazën dhe Rrafshnaltën e Golanit (nga Siria). Lufta e vitit 1973 nuk solli asnjë fitore për arabët, pos rikthimit nga Siria të qytezës Kuneitra në Golan dhe marrëveshjen e ndërprerjes së luftës në kilometrin e 101-të në Sinai, me ndërmjetësimin e dy superfuqive dhe asgjë tjetër. Dëmet në njerëz dhe ato materiale llogaritet të jenë mbi 400 miliardë dollarë, kurse numri i ushtarëve të vrarë arabë kalon numrin 40 mijë. Anuar el Sadati i kishte ndier të gjitha këto në lëkurën e tij, andaj kishte marrë vendimin të kalonte nga fronti i luftës në atë të paqes.

Pas kryerjes së ceremonialit në Knesetin izraelit, kur fjala e Sadatit u duartrokit disa minuta nga të gjithë 120 deputetët izraelitë, dola ta bëja një shëtitje në pjesën e vjetër të Jerusalemit. Aty gjendeshin përforcime të mëdha policore dhe ushtarake, të gatshme ta thyenin çdo manifestim të mundshëm kundër okupimit dhe ardhjes së Sadatit. Dyqanet e vjetra nuk ishin të mbyllura, ndonëse qeveria izraelite e kishte shpallur atë ditë festë shtetërore, madje me shumë arsye, sepse ardhja e Sadatit shënon fitoren e padyshimtë të Izraelit, ndërsa për Sadatin ky është një det i gjerë midis Kajros dhe Tel-Avivit, të cilin atij i duhet ta kalojë not “midis peshkaqenëve”.

Personalisht ndieja një përzierje të madhe ndjenjash që atë ditë u gjenda aty në detyrën e reporterit. Së pari, disa vjet raportoja për gazetën “Rilindja” nga Libani, fqinj i Izraelit, dhe nga e tërë Lindja e Afërme, por asnjëherë nuk kam pasur mundësi ta merrja vizën që ta shihja vetë këtë shtet sa të blinduar aq edhe të zhvilluar. Për këtë vizitë të Sadatit në Izrael, Qeveria e Beginit e “liroi dorën”, duke dhënë viza edhe për gazetarët e vendeve komuniste.

Si notari midis peshkaqenëve

Pala izraelite, e interesuar deri në maksimum që kjo vizitë të popullarizohej sa më shumë në botë, lejoi hyrjen për afro 2000 gazetarë të jashtëm. Salla e Teatrit të Jerusalemit u shndërrua në press-qendër me qindra linja të drejtpërdrejta telefonike dhe të teleksit pa kurrfarë pagese.

Derisa jemi duke pritur me padurim aktin kryesor të këtij shou të madh politik – fjalën e kryetarit Sadat para 120 deputetëve të Parlamentit të këtushëm - Sadati dhe Begini drekuan së bashku, por asgjë e rëndësishme nuk doli për mediat. Të gjitha ruheshin të thuheshin në Knesetin (Parlamentin) izraelit. Sadati, duke folur i pari si mysafir, paraqiti tri kushtet kryesore arabe për paqe të përhershme: tërheqja e Izraelit nga të gjitha territoret arabe, të pushtuara në vitin 1967; që Jerusalemi të shpallej qytet i lirë e i hapur për besimtarët e tri religjioneve; si dhe realizimi i plotë i të drejtave themelore politike dhe kombëtare të popullit palestinez në tokën e vet. Sadati u tregoi deputetëve izraelitë se çka e shtyu të vinte papritur në Izrael, duke zbuluar edhe një fshehtësi, të cilën të gjithë e dëgjuan për herë të parë, e ajo ishte se pikërisht ky Sadat në shkurt të viti 1971 (dy vite para Luftës së pestë arabo-izraelite) ishte udhëheqësi i parë dhe i vetëm arab i cili kishte shprehur gatishmërinë të nënshkruante traktatin e paqes me Izraelin. Sadati gjithashtu theksoi se nuk e kishte pasur të lehtë të vinte në këtë Kneset, duke e ditur se të gjithë arabët do të jenë kundër, prandaj askënd nuk e ka informuar për përgatitjet e kësaj vizite, por ai ua tërhoqi vërejtjen edhe deputetëve të Knesetit se ekzistojnë dy grupe faktesh që nuk bën të lihen pas dore. Në kuadrin e grupit të parë të fakteve është e vërteta se ai nuk do të bëjë asgjë në kurriz të arabëve të tjerë dhe se tani e tërë bota kërkon paqe në Lindjen e Afërme dhe se Izraeli duhet ta kuptojë se arabët kurrë nuk do të kërkonin paqe nga pozita e të dobëtit, porse ka ardhur koha që bota të fillojë të sillet ndryshe rreth boshtit të vet si për arabët ashtu dhe për izraelitët.

Akti i parë i dramës paqësore egjiptiano-izraelite përfundoi, por nga rrugët e Tel-Avivit, Jerusalemit dhe e qyteteve të tjera të Cisjordanisë dhe Gazës së pushtuar nuk u hoqën flamujt e Egjiptit dhe portretet e presidentit Sadat dhe të kryeministrit Begin. Lidhjet direkte telefonike dhe të teleksave, që u vendosën për herë të parë midis Egjiptit dhe Izraelit që nga viti 1948, nuk u ndërprenë, por, siç thonë në Izrael, ato do të funksionojnë pandërprerë në të mirë të paqes. Atë ditë për herë të parë nga Kajroja iu paraqit Radios së Jerusalemit korrespondenti i saj i parë special në Egjipt, duke përshkruar atmosferën e pabesueshme që mbretëroi mbrëmë në Kajro, me rastin e kthimit të Sadatit nga Izraeli. Egjipti, nga ana e tij, për herë të parë mbylli në Kajro radiostacionin palestinez “Zëri i Palestinës” për shkak të kundërshtimit të kësaj vizite, ndërsa shpejt e shpejt dëboi nga shteti 15 palestinezë, të cilët shpërndanin trakte kundër Sadatit dhe vizitës së tij në Izrael. Radio Kajroja, në emisionet e saj, për herë të parë Beginin nuk e cilësoi më “terrorist” por “Zoti kryetar i qeverisë izraelite, Menahem Begin”.

Siria ia ndillte vrasjen Sadatit

Nëse kësaj shkrirjeje të “akullit të Antarktikut”, siç e quan shtypi i Izraelit, i shtojmë paralajmërimin e qarqeve të të dyja shteteve se konferenca paqësore e Gjenevës do të mbahet së shpejti, del se megjithatë diçka po ecën mbarë. Shtypi i Sirisë e barazon këtë vizitë të Sadatit në Izrael po aq negativ sa edhe përzënien e 20 mijë ekspertëve ushtarakë sovjetikë nga Kajroja më 1971. Siria shkon edhe më larg duke ia rikujtuar Sadatit se, sipas ligjeve egjiptiane, edhe kontakti pasiv i qytetarit egjiptian me izraelitin konsiderohet tradhti e madhe dhe dënohet me vdekje. Në bllokun e shënimeve të mia lexoj edhe kujtimet kur Sadati ia shtriu dorën gardës së gjeneralëve izraelitë me të cilët luftoi plot 30 vjet. Mirëpo, shumica megjithatë pajtohet se Sadati nga Tel-Avivi iu drejtua me kritika të rrepta si amerikanëve, të cilët qenë gjithnjë të njëanshëm ndaj tij, ashtu edhe sovjetikëve, të cilët kurrë nuk i bënë një të mirë Lindjes së Mesme, pos që kishin përfitime në shitjen e armatimit.

Për herë të parë televizioni izraelit u lidh me televizionin e Kajros, për ta transmetuar drejtpërdrejt pritjen që iu organizua Sadatit me rastin e kthimit në Egjipt. Shikuesit izraelitë përcollën në ekranet e tyre kalimin triumfal të Sadatit nën 20 portat triumfale në Kajro, të ngritura brenda natës nga dërrasat dhe lulet.

Tregtarët izraelitë nuk pritën as përfundimin e vizitës së Sadatit në Izrael për të nxjerrë në shitje fanellat me portrete të përbashkëta të Sadatit dhe Beginit. Shtypi i këtushëm shkruante se disa dengje të këtij malli propagandistik u dërguan në shtetet e ndryshme të botës ku po shitet “si hallvë”, ndërsa filatelia e këtushme lëshoi në shitje edhe pullat postare me portretet e Beginit dhe të Sadatit. Këta dy burra shtetesh qenë artistët më të mëdhenj që kanë luajtur ndonjëherë mbi dërrasat e skenës së Teatrit të Jerusalemit, ku u mbajt konferenca e madhe për shtyp. Ata çdo pyetjeje direkte iu përgjigjën me mjaft delikatesë. Kur Begini nuk dëshironte t’u përgjigjej pyetjeve të ndjeshme, thoshte: “Le të përgjigjet presidenti. Ai është më i madh se unë. Unë jam vetëm kryeministër”. Nga ana tjetër, Sadati anasjelltas përpiqej që me përgjigje spirituoze të krijonte atmosferë gazmore, duke e quajtur shpesh Beginin “miku im i madh”. Kënaqësia izraelite u vërejt edhe me rastin e përcjelljes së Sadatit, e cila ishte shumë më solemne se pritja e tij. Shefin e shtetit të Egjiptit kishin dalë ta përcillnin e gjithë qeveria, deputetë, udhëheqës të partive dhe kush jo. Mirëpo, Sadati e mblodhi fuqinë që të mos përqafohej as me kryetarin Kacir e as me kryeministrin Begin dhe me të tjerët, por u nda vetëm me të shtrënguar duarsh, ndërsa pyetjeve të gazetarëve të televizionit izraelit se ç’dëshironte t’i thoshte popullit izraelit në ndarje, ai iu përgjigj me vetëm: “Ju faleminderit për të gjitha”.

Atë çka nuk e bëri Sadati, e bënë udhëheqësit izraelitë mes vete. Derisa aeroplani i Sadatit, i përcjellë nga aeroplanët ushtarakë izraelitë, u drejtua për në Egjipt, izraelitët nuk ndaleshin së përqafuari. Kryeministri Begin u lodh duke u puthur me secilin bashkëpunëtor në shenjë mirënjohjeje për këtë fitore të re, të cilën izraelitët me plot arsye e konsiderojnë historike, sikundër edhe Sadati.

Jeta në kibuc

Shumica e gazetarëve të huaj nuk u larguan nga Izraeli me të përfunduar të kësaj vizite, por u shpërndanë në të gjitha pjesët e Izraelit dhe të viseve të okupuara arabe, për ta parë vetë jetën atje. Unë vendosa t’i vizitoj kibucët.

Kërshëria për kibucin më ngashënjeu edhe mua vetëm gjatë një dite, të mërkurën më 23 nëntor 1977, kur me grupin e gazetarëve të huaj, që përcollën vizitën e Sadatit në Izrael, shkuam në Cisjordaninë Qendrore, ku pushteti izraelit ndërton fshatra të reja për ardhacakët hebrenj nga të gjitha viset e botës. Me një autobus plot gazetarë, me në krye një kolonel të ushtrisë izraelite dhe dy përfaqësues të Ministrisë së këtushme të Punëve të Jashtme, u nisëm në orët e para të mëngjesit nga Jerusalemi në një rrugë jo fort të gjatë prej gjithsej 150 kilometrash. Ky ishte një hark midis Jerusalemit, Tel-Avivit dhe dy qyteteve të Cisjordanisë: Nablus dhe Ramallah. Autoritetet izraelite nuk përtojnë në këso rastesh, e veçanërisht kur është fjala për gazetarët e huaj, të bëjnë çmos për t’u treguar drejtpërdrejt në terren si popullzohet Izraeli me njerëz që kanë lënë edhe shtete të mëdha të botës për t’u kthyer në këtë vend ku krijojnë vatra të përhershme.

Autobusi ngutej drejt një kibuci (bashkësi, fshat kolektiv), duke prerë plantacione arabe të mandarinave dhe të ullinjve. Kalojmë pranë dhjetëra fshatrave e qytezave arabe, të cilat fare nuk dallohen nga ato të Jordanisë. Shtëpitë janë të ngritura me gurë të skalitur, të rrethuara me kopshte plot pemë. Fëmijët arabë, si të gjithë fëmijët e botës, luajnë skaj rrugës, gaxhumiten, por asnjërit nuk i shkon mendja të ngre dorë t’i përshëndesë këta njerëz të panjohur në autobus. E vërejnë mjekroshin pranë shoferit dhe, sipas një logjike të natyrshme, as ne udhëtarët, njerëz të panjohur, nuk mund të jemi më të mirë se ai. Në kodrinat gurore të Cisjordanisë tani mbillen thekra dhe patatet. Bën kohë e mirë, e qielli assesi të vrenjtet, andaj të gjithë bujqit arabë gjenden në fushë, me parmenda në dorë dhe me nga një ose dy gomarë që e tërheqin parmendën.

Disa shpate thuajse janë nxirë nga dhitë e zeza. Mbi kulmin e çdo shtëpie qëndron nga një kazan i madh që mbledh ujëra të shirave të rralla, e pranë tyre antenat televizive që kapin Jordaninë, Kajron e të mos flasim për TV Bejrutin fqinj. Mirëpo, në këtë idil që më rikujton disa vise të krasit të Dalmacisë mungon njeriu i relaksuar i atij bregdeti Adriatik. Këtu në Cisjordani, njeriu është i lodhuri nga lavra e dielli. Këtu fytyrat janë të zymta. Ndoshta më të zymta na duken neve posa vërejmë me shikime nga dritarja e autobusit që nuk do të ndalet askund midis tyre. As ciceroni ynë, koloneli, nuk flet për ta, thuajse nuk i sheh fare. I injoron.

Ai e mbledh fuqinë për kibuc, ku duhet të na arsyetojë një gjë të thjeshtë që, sipas tij, pakkush nga të huajt e kupton: pse është kjo ndarje mes njerëzve. Në viset e okupuara arabe pas Luftës së Dytë Botërore u ngritën nja 80 kibucë. Kibuci i parë u ndërtua më 1909, atëherë kur Palestina ende ishte nën mandatin britanik, kur hebrenjtë blinin toka nga arabët. Më vonë, pas Luftës së parë të vitit 1948, e veçmas pas Luftës së dytë të vitit 1967, shumica e kibucëve u ndërtuan në tokat e blera, por edhe në ato të pushtuara, pasi kishin ngelur të braktisura pas dëbimit të afro 700 mijë palestinezëve. Pas themelimit të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (maj 1964), një nga urdhrat e prerë të udhëheqjes palestineze ishte ndërprerja e shitjes së tokës arabe hebrenjve. Kush e thyente këtë urdhër, dënohej me plumb në kokë nga vetë palestinezët.

Ndër këta kibucë ku jemi nisur për të shkuar është edhe ai i Kadumit, në majën e një kodre ku valon flamuri izraelit. Sa më shumë që i afrohemi kësaj kodre, mund të vërehen më shumë baraka ushtarësh, poligone dhe shtëpi nga lesoniti, disa nga të cilat qëndrojnë mbi rrota.

Në të hyrë në këtë kibuc, koloneli izraelit zbriti nga autobusi dhe i përshëndeti ushtarët në portën kryesore dhe u tha diçka. Pastaj ata e hapën derën e mbyllur me dry. Në pjesën e parë të kibucit, të rrethuar me tela gjemborë, gjendeshin ushtarët. Disa hangarë të hapur me dysheme betoni e mbi to shtretër, helmeta, batanije dhe strajca ushtarësh, e ata vetë thuajse nuk dukeshin fare. Më lart, derisa autobusi gjarpëronte drejt këtij kibuci, ushtarët i pamë në poligonin e qitjes. Përtej telave të kibucit – qetësi. Vetëm një bujk arab lëvron tokën gurore me parmendën që e tërheq gomari i tij i lodhur, por ai i vetmuar megjithatë nuk e lë të qetë këtë geto të hekurt izraelite. Ai ka mbetur aty në vendin e tij, me heshtjen që vret.

Sipas burimeve zyrtare izraelite, në kibucë jetojnë tre për qind të popullsisë së Izraelit. Aty prodhohen afro 10 për qind të prodhimeve industriale, duke përfshirë edhe ato ushtarake, si dhe afro 40 për qind të prodhimit bujqësor të vendit.

Në pjesën e epërme të kibucit na presin fëmijët. Një tufë e vetme, sepse këtu nuk lindin shumë fëmijë. Ardhacakët nga BRSS-ja, Franca dhe nga disa shtete të Evropës, nja 250 sish, bëjnë jetë kolektive. Disa punojnë në Tel-Aviv, disa janë bërë ushtarë profesionistë, ndërsa gratë kujdesen për ato shtëpi të vogla që duken të kompletuara, por megjithatë miniaturale. Në kibuc shfrytëzohet çdo centimetër. Kanë edhe dy punëtori: njëra për stabilimente elektronike, kurse tjetra për pjesë tankesh. Kur nuk ka prodhim, ato salla shndërrohen edhe në faltore – sinagoga.

- Këtu jemi vendosur pa lejen e pushtetit, – filloi të na flasë një grua 35-vjeçare. Qeveria e Rabinit dy herë ka refuzuar kërkesën tonë që të vendosemi këtu, por lëvizja jonë, e cila ka për detyrë që të ndërtojë sa më shumë këso kibucësh, më në fund erdhi dhe ngriti këto themele. Vendimin tonë pastaj u detyrua ta miratojë edhe qeveria e Beginit.

- Kjo do të thotë se pushteti izraelit qenka shumë i dobët? – pyeti një gazetar japonez.

- Jo, jo. Ai është shumë i fuqishëm, prandaj edhe i mundi disa herë arabët, – fliste ajo dhe shpesh shprehte nervozizëm pse po bënim këso pyetjesh.

- A kontaktoni ndonjëherë me fshatarë arabë përreth? – pyeti një gazetar tjetër.

- Rrallë ose hiç, – u përgjigj bashkëbiseduesja. - Ata u ikin kontakteve, por as ne nuk jemi të interesuar që t’i takojmë. Ata janë të shqetësuar pse ne jemi kthyer në atdheun tonë historik, – u përgjigj ajo.

- Po sikur ju të kishit qenë arabë, si do të silleshit ndaj hebrenjve që me dhunë pushtojnë tokat e tjetrit? Bota juve ju ka njohur territoret e para viti 1967. Pse nuk ndërtoni atje kibucë dhe koloni? – pyeti një gazetar tjetër.

- Kjo nuk është tokë arabe, por izraelite, – ia preu ajo. - Palestinezët le të kërkojnë tokën e tyre nga mbreti Husein në Jordani. Atje është atdheu i tyre.

- Begini nuk e përjashton mundësinë e tërheqjes suaj nga Cisjordania në rast të marrëveshjes arabo-izraelite. A do ta respektonit atëherë atë marrëveshje të kryeministrit tuaj me arabët? – pyeti një gazetar francez.

- Çdo marrëveshje që do të lidhet, nuk mund të ketë temë negociatash tërheqjen tonë. Ne kemi pritur njëzet shekuj të kthehemi këtu ku na shihni sot, prandaj merreni si të doni, – tha gruaja që u prezantua si intelektuale me fakultet të kryer në Amerikë.

Shoferi e theu atë heshtje duke na ftuar me borinë e autobusit që të niseshim më tej. Në një kodrinë përballë kibucit shtrihej kalaja osmane. Pos gjarpërinjve na thanë se nuk ka më gjallesë në të. Dikur aty kishte pasur ushtarë të fuqishëm.

Kur u kthyem në Jerusalem, koloneli dhe dy nëpunësit e Ministrisë zbritën të parët dhe u larguan me një lamtumirë të ftohtë.

p.s. Anuar el Sadatin e vranë ushtarët e tij, gjatë një parade të madhe në Kajro, më 6 tetor 1981, por marrëdhëniet diplomatike me Izraelin nuk i prishi as pasardhësi i tij, Hosni el Mubaraku. Autoriteti palestinez e njohu më 1993 ekzistencën e Izraelit në kufijtë e vitit 1967, kurse Jordania e njohu Izraelin më 1994. Mauritania këtë hap e ndërmori më 1999.

Më 15 shtator të këtij viti në Uashington pritet të nënshkruhet njohja reciproke midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe , sikundër edhe raportet diplomatike midis Bahreinit dhe Izraelit, me ndërmjetësimin e SHBA-së. Merret vesh se janë duke u zhvilluar negociata sekrete midis Izraelit dhe disa shteteve tjera arabe për njohje reciproke.

Ky varg njohjesh të shpejta midis arabëve dhe Izraelit shpjegohet me lodhjen e të gjithë akterëve të regjionit nga gjendja e status quosë shumëvjeçare dhe paperspektiva nga pritja e mëtejme. Gjithashtu arabët po ndiejnë rrezikun nga Irani, andaj dëshirojnë të krijojnë aleancë me SHBA-në dhe Izraelin. Arsye tjetër është distancimi i arabëve nga Rusia, nga e cila nuk panë asnjë dobi konkrete, pos interesave të saj që të përfshihet sa më thellë në regjionin e Lindjes së Mesme.

Është e natyrshme se te palestinezët vërehet një zhgënjim ndaj arabëve të tjerë, por nëse kështu vazhdon kjo fushatë njohjesh, ka mundësi që edhe palestinezët të binden që të hyjnë në negociatat e planit amerikan për themelimin e shtetit palestinez duke e "arnuar" territorin e Cisjordanisë edhe me territore nga shkretëtira izraelite dhe lidhjen e Gazës me Cisjordaninë (Bregun perëndimor) me një korridor. Gjer tani ky projekt amerikan i mbështetur nga Izraeli, është hedhur poshtë nga Autoriteti palestinez dhe disa shtete arabe.