Botë

Shpërthen përplasja civile në rrugët e Podgoricës

Tensioni i lartë i manifestuar pas zhvillimit të zgjedhjeve në Mal të Zi është derdhur në rrugë ku ka pasur përplasje me gurë e mjete të forta ndërmjet civilësh. Gjithçka ka ndodhur në orët e vona të natës në rrugët e kryeqytetit të Malit të Zi.

Është dashur ndërhyrja e policisë që të ndalojë sherrin e nisur nga përkrahës të opozitës filoserbe dhe nacionalistëve malazezë që kanë manifestuar me flamuj të vendit të tyre.

Përplasja erdhi pasi në sheshin e Podgoricës përpara Katedrales Ortodokse kanë ardhur nga të gjitha qytetet e vendit mbështetës të opozitës filoserbe, duke valëvitur flamuj të Serbisë, ngritur tre gishtat si simbol serb dhe kënduar këngë për Serbinë e Madhe.

Manifestimi në Podgoricë ka ardhur pasi njerëz në ekstazë me makinat e tyre dhe të ngarkuar nga pija e tepërt kanë shpërthyer në festime në Tivar, Budva dhe disa qytete të tjera të vendit.

Në Podgoricë është goditur edhe një furgon që transmetonte live i televizionit publik malazez RTCG.

Në lagjen “Siti Kvart” të Podgoricës kanë dalë duke festuar një grup maklazezësh me flamuj të vendit të tyre, që kanë thirrur pro Milo Gjukanoviçit duke thënë se jemi parti e parë. Menjëherë kanë mbërritur në vend manifestantë të irrituar me flamuj serb dhe aty ka nisur përplasja me gurë e sende të forta. Mediat malazeze raportojnë se ka disa të plagosur.

Ka ndërhyrë policia duke ndaluar sherrin. Por sërish tensioni nuk ka rënë, atëherë krerët e opozitës, Krivikapiç dhe Abazoviç u kanë bërë thirrje mbështetësve të tyre të festojnë nëpër shtëpitë e tyre, duke lënë sheshin.

Nga partia në pushtet nuk ka reaguar asnjë zyrtar i lartë, përveç zëdhënësit të Partisë Demokratike të Socialistëve, Millosh Nikoliç. Ai deklaroi në orët e vona se është ankuar në misionin e OSBE-së për këtë sjellje të opozitës që “në një mënyrë agresive, duke provokuar qytetarë - madje edhe gazetarë - duke thirrur parulla nacionaliste, duke fyer institucionet malazeze, duke provokuar zyrtarë të policisë, duke përdorur flamuj të huaj dhe duke bllokuar rrugët po rrezikojnë paqen civile në Mal të Zi dhe provokojnë reagimin e qytetarëve me një orientim tjetër politik”.

“Gjatë ditës, huliganët sulmuan anëtarët e popullsisë Boshnjake-Myslimane dhe dëmtuan objektet e tyre në Pljevlja. Në disa raste, ata hynë në lokalet e degës së DPS-së dhe shkatërruan pronën. DPS gjithmonë respekton vullnetin demokratik të qytetarëve.

"Por egërsia, huliganizmi dhe sulmi ndaj pasurisë, anëtarëve të partive të tjera, bllokimi i rrugëve dhe qyteteve nuk mund të kryhen në Malin e Zi civil, ndërsa ne jemi në pushtet”, përfundoi Nikoliç/Gazeta Shqip.

Në Podgoricë të Malit të Zi, të hënën vonë, pati përleshje midis mbështetësve të qeverisë dhe opozitës, të cilët festonin fitoren në zgjedhje.

Policia reagoi, për të penguar konfrontimet e mëtejshme.

Në vendin e incidenteve, në qendër të qytetit, u panë edhe auto-ambulanca.

Policia ende nuk ka njoftuar nëse ka të lënduar.

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën më 30 gusht dhe, sipas rezultateve paraprake, ato u fituan nga partitë opozitare, të cilat janë pro-serbe dhe pro-ruse.

Pas incidenteve, udhëheqësi i koalicionit opozitar “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, Zdravko Krivokapiq, u bëri thirrje mbështetësve që të festojnë në shtëpi.

"Ne nuk qëndrojmë pas asnjë tubimi, nuk duam trazira, nuk duhet të irritojmë askënd. Le të qëndrojmë të qetë, le të qëndrojmë në shtëpi", tha ai përmes një postimi në Facebook.

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e cila aktualisht është në pishtet, tha se mbështetësit e opzoitës, në disa qytete të Malit të Zi, kanë organizuar tubime, gjatë të cilave, “qytetarët janë provokuar në mënyrë agresive, me parulla nacionaliste”.

DPS tha se do të informojë Misionin Monitorues të OSBE-së dhe partnerë e tjerë ndërkombëtarë për incidentet.

Jashtë Podgoricës, mbështetësit e opozitës organizuan tubime edhe në qytete të tjera të Malit të Zi: Tivar, Bijello Pole, Berane dhe Danillovgrad.