Botë

Shpërthen zjarri afër qytetit antik të Micenës në Greqi

Ka shpërthyer një zjarr i madh afër rrënojave të qytetit të epokës së bronzit, duke i shtyrë autoritetet që të evakuojnë turistët nga ky vend.

Zjarri nisi të dielën afër varrit të Agamemnonit, mbretit të Micenës, njëra nga qendrat më të mëdha të civilizimit në Mesdhe në mijëvjeçarin e dytë para Krishtit. Sipas legjendës, Agamemnoni udhëhoqi forcat greke në luftën e Trojës, shkruan Al Jazeera.

Flaka iu afrua mureve të rrënojave të qytetit të vjetër por departamenti i zjarrfikësve tha se muzeu nuk ishte rrezikuar.

Përpjekjet e zjarrfikësve për ta ndalur zjarrin u mbështetën edhe nga katër aeroplanë dhe dy helikopterë, transmeton KOHA.

Greqia çdo vjet përjeton zjarre në natyrë gjatë sezonit të thatë veror, me erëra të forta dhe temperatura që shpesh i tejkalojnë 30 gradë celsius.