Botë

Xhamia në Londër refuzon të lutet për sulmuesit e Londrës

Descriptive Text

Liderët e komunitetit në Londrën Lindore kanë refuzuar të thonë lutje për terroristët e vrarë në London Bridge të Londrës gjatë sulmit terrorist të së shtunës mbrëma.

Pjesëtarët e Xhamisë së Londrës Lindore kanë dënuar veprimet e Khuram Shazad Butt, Rachid Redouane dhe të një terroristi të tretë, duke thënë se veprimet e tyre bien ndesh me bazën e mësimeve të islamit.

Image

Rreth 130 imamë dhe liderë fetarë kanë thënë tani se nuk do të mbajnë lutje që zakonisht mbahen për myslimanë, pavarësisht veprimeve të tyre.

“Si rrjedhojë, dhe duke marrë parasysh parimet tjera etike të cilat janë thelbësore për Islamin, ne nuk do të kryejmë lutjen tradicionale islame të funeralit mbi autorët e krimit dhe gjithashtu u bëjmë thirrje imamëve tjerë dhe autoriteteve fetare që të tërheqin një privilegj të tillë. Kjo për shkak se veprime të tilla të pambrojtura janë krejtësisht në kundërshtim me mësimet e Islamit”, thonë ata, raporton “Metro”.

Kryesuesi i Xhamisë së Londrës Lindore dhe Qendrës së Myslimanëve në Londër, Muhammad Habibur-Rahman, ka kërkuar nga njerëzit të heqin dorë nga ndarjet dhe paragjykimet, dhe të raportojnë edhe ekstremizmin edhe islamofobinë, transmeton Koha.net.

“Jemi sërish bashkë kundër atyre që tentojnë të na ndajnë. Vrasja gjakftohtë e njerëzve të pafajshëm të shtunën në Londër nuk do të ketë sukses që të na ndajë. Kam një porosi të qartë për ata që kryejnë vepra terroriste: jeni kundër mësimit më themelor të Islamit dhe Profetit tonë Muhamed, paqja qoftë mbi të”, ka thënë Muhammad Habibur-Rahman.

“Udhëzimet tuaja të gabuara do t’ju çojnë në shkatërrim, dhe me dëshirën e Zotit do të dështoni krejtësisht në qëllimet e tuaja mizore. Ne s’ju bashkohemi juve dhe korruptimit të religjionit të Islamit. Terrorizmi nuk ka besim”, ka shtuar ai.

Sufia Alam, menaxhere në Qendrën Maryam, ka thënë se organizata ka pranuar disa raportime se femrat myslimane po abuzohen verbalist nëpër autobusë.

“Kërkojmë nga të gjitha femrat myslimane të punësuara apo që marrin pjesë në vende religjioze që të raportojnë çdo lloj krimi të urrejtjes me të cilin mund të përballen”, ka thënë ajo.