Botë

Mijëra suedezë marrin rezultate të gabuara për COVID-19 

Foto: Reuters

Rreth 3700 njerëz në Suedi kanë marrë gabimisht rezultatin se kanë koronavirusin, për shkak të një defekti në testet për COVID-19, të marra nga Kina, ka thënë Agjencia Publike e Shëndetit. 

Materiali nga “BGI Genomics” nuk kishte arritur të identifikonte dallimet mes niveleve të ulëta të virusit dhe rezultatit negativ, sipas agjencisë. 

“Furnizuesi duhet të rregullojë performancën që kërkohet që ky test të përdoret”, kanë thënë nga departamenti i mikrobiologjisë në Suedi, raporton “Reuters”. 

“BGI Genomics”, dy nga degët e së cilës janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut, nuk ka komentuar deklarimet. 

Shteti suedez nuk ka treguar se sa teste janë kryer me atë material, por një sasi jo e madhe duket të ketë qenë e përfshirë, kur virusi ka qenë në nivelet e ulëta. 

Suedia ka përmirësuar me këtë rast edhe të dhënat zyrtare për rastet me COVID-19. Deri tash në Suedi janë regjistruar 86891 të infektuar e 5814 vdekje. 

Shtimi i rasteve të reja dhe pranimi në repartet intensive kanë shënuar rënie javëve të fundit. Agjencia ka thënë se së shpejti do të mundësojë lehtësimin e disa masave.