Botë

Gjashtë viktima nga zjarret në Kaliforni, guvernatori u kërkon ndihmë vendeve tjera

Qindra zjarre në Kaliforninë qendrore dhe veriore kanë shkaktuar vdekjen e gjashtë personave, duke u regjistruar nga zjarret më të mëdhatë në historinë e vendit të cilët kanë përfshirë qytete të vogla.

Zjarret vdekjeprurëse kanë shkatërruar më shumë se 500 shtëpi dhe ndërtesa të tjera, duke lënë edhe 43 zjarrfikës dhe qytetarë me lëndime.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, tha se ekipet po luftonin të shuanin 560 zjarre në tërë vendin, shumë prej të cilëve janë shkaktuar nga stuhitë dhe rrufetë e javës së kaluar.

Ai e ka quajtur këtë situatë vdekjeprurëse, derisa ka bërë thirrje për ndihmë edhe nga vendet si Kanada dhe Australia.

Rreth 175,000 njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, raporton Reuters. 

Tymi dhe hiri që ka kapluar vendin, ka shtuar rrezikun për shëndetin e njerëzve të cilët janë larguar dhe atyre që kanë mbetur në shtëpi pa ajër të kondicionuar.

Ekspertët e shëndetit kanë paralajmëruar se pandemia me koronavirus ka rritur mundësinë për rrezik shëndetësor nga ajri dhe temperaturat e larta, veçanërisht tek moshat më të vjetra dhe ata që vuajnë nga sëmundje të frymëmarrjes, transmeton KOHA.