Botë

40% e suedezëve mendojnë së maska duhet të jetë obliguese në transportin publik

Rreth 40 për qind e suedezëve mendojnë se mbajtja e maskës në transportin publik duhet të bëhet e obligueshme. Ky është rezultati i një ankete të kryer nga organizata që merret me hulumtime “SIFO” në emër të TV4.

Nga e shtuna, në shtetin tjetër skandinav – Danimarkë, mbajtja e maskës në transport publik do të jetë e obligueshme.

Anketa ka pasuar debatin, ku janë përfshirë edhe ekspertë mjekësorë, se maskat nuk ndihmojnë në luftën kundër COVID-19.

Emma Frans, hulumtuese e mjekësisë suedeze, ka numëruar përparësitë dhe mangësitë e mbajtjes së maskës.

Ndër mangësitë ka numëruar: sigurinë false të maskave, përdorimin e gabuar dhe paqartësinë e kostos. Përparësitë janë shumë më të mëdha, sipas saj, si: mbrojtja nga të tjerët, zvogëlimi i përhapjes të të infektuarve asimptomatikë dhe ndjenja e sigurisë.

Suedia është një prej vendeve që nuk ka marrë masa të rrepta për ndalimin e përhapjes së COVID-19. Deri më tash në këtë vend janë regjistruar rreth 85.000 raste pozitive, derisa kanë vdekur rreth 5.800 pacientë si pasojë e COVID-19.

Teksti është kontribut i lexuesit të KOHËS, Lavdim Neziri.