Botë

Ribashkimi dhe beteja për kujtime

Rrjeti gjeneroi edhe shtigje të tjera, ndonëse, mjerisht, nuk e përafroi me Jia Jian. Jingzhi vizitoi gjithsej 10 krahina kineze gjatë kërkimit të saj.

Kur i biri i saj kishte tanimë 19 vjet si i pagjetur, Jingzhi nisi të punonte si vullnetare për ueb faqen “Baby Come Home”, e cila ndihmonte në ribashkimin e familjeve me fëmijët e zhdukur.

“Nuk ndihesha më e vetmuar. Kishte aq shumë vullnetarë që na ndihmonin për t’i gjetur fëmijët dhe kjo gjë më preku shumë”, ka thënë Jingzhi. Ishte edhe një tjetër e mirë në këtë punë: “Mendoja se edhe nëse fëmija im nuk gjendet, mund t’i ndihmoj fëmijët e tjerë të gjejnë shtëpitë e tyre”.

Më pas, më 2009, Qeveria kineze e formoi një databazë të ADN-së, ku çiftet që kishin humbur fëmijët dhe fëmijët që dyshonin se mund të ishin rrëmbyer, mund t’i regjistronin ADN-të e tyre. Ky ishte një hap madhor përpara dhe ka ndihmuar në zgjidhjen e mijëra rasteve.

Shpresa, si shkas për të mbetur gjallë

Shumica e fëmijëve të pagjetur, për të cilët ka dëgjuar Jingzhi ishin të gjinisë mashkullore. Çiftet që i blinin ishin pa fëmijë apo kishin vetëm vajza, por jo edhe djem. Dhe shumica ishin nga zonat më të largëta.

Gjatë punës së saj me “Baby Come Home” dhe organizata të tjera në dy dekadat e fundit, Jingzhi ka ndihmuar në bashkimin e 29 fëmijëve me prindërit e tyre. Ajo thotë se e ka të vështirë t’i përshkruajë ndjenjat që ka përjetuar gjatë ribashkimit të tyre.

“E pyesja veten: ‘Pse ky nuk mund të jetë i biri im?’. Por kur i shihja prindërit e tjerë tek i përqafonin fëmijët e tyre, ndihesha e lumtur për ta. Mendoja po ashtu se nëse ata e pritën këtë ditë, edhe unë përfundimisht do ta kem ditën time. Ndihesha optimiste. Duke i parë fëmijët që bashkoheshin me prindërit, më kaplonte ndjenja se një ditë edhe fëmija im do të kthehet në shtëpi me mua”, thotë Jingzhi.

Por kishte edhe momente kur ajo e humbiste pothuajse krejtësisht shpresën.

“Sa herë që një shteg kërkimi nuk më shpinte gjëkundi, ndihesha e zhgënjyer”, thotë ajo. “Por nuk doja të ndihesha e zhgënjyer. Andaj e ruaja besimin për të mbetur gjallë”.

Nëna e saj e moshuar, po ashtu, i shërbente si rikujtues për ta vazhduar kërkimin për të birin.

“Nëna ime vdiq më 2015, në moshën 94-vjeçare, por para se të vdiste asaj ende i mungonte shumë Jia Jia. Një herë, ajo madje më tha të kishte parë ëndërr se Jia Jia kthehet në shtëpi. Më tha: ‘Kanë kaluar afro 30 vjet, ai do të kthehet’”, thotë Jingzhi.

Kur nëna e saj humbi vetëdijen pak para vdekjes, Jingzhi supozoi se ajo po mendonte për nipin.

“I pëshpërita nënës në vesh: ‘Nënë, mos ke merak, përfundimisht do ta gjej Jia Jian’”, tha ajo. “Nuk e kisha vetëm për ta përmbushur dëshirën time, doja që t’ia përmbushja dëshirën edhe nënës dhe ta gjeja Jia Jian. Nëna ime vdiq më 15 janar 2015 – e kjo ishte ditëlindja e Jia Jias. Mendova se kjo ishte mënyra e Zotit për të ma kujtuar që të mos e harroj nënën që më lindi dhe të birin që unë linda. Atë ditë kur njëri vdes, një tjetër lind”.

Konfirmimi i ADN-së

Më pas, 10 majin e këtij viti – në Ditën e Nënave – ajo e pranoi një thirrje telefonike prej byrosë së Xi’anit për Siguri Publike, me një lajm të mrekullueshëm: “Mao Yin është gjetur”.

“Nuk e pata guximin të besoja se ishte e vërtetë”, thotë tani Jingzhi.

Në prill, dikush e kishte informuar për një burrë, i cili ishte marrë nga Xi’ani shumë vite më parë. Ai person ia ofroi fotografinë e djaloshit, në moshën e adoleshencës. Jingzhi ia ofroi fotografinë policisë ndërsa policia përdori teknologjinë e identifikimit të fytyrave për të konstatuar se ai ishte një burrë që jetonte në Changdu, në afërsi të krahinës Sichuan.