Botë

Pandemia po shpërfaq epidemitë e shumta

Për ta thënë edhe një herë, koronavirusi është infeksion ngjitës. Me qarkullimin e infeksioneve në të gjithë shtetin, amerikanët janë të shqetësuar se epidemia është e pandalshme tashmë dhe se asnjë kënd i shtetit nuk do të shpëtojë pa u prekur.

Deri të martën, pandemia ka infektuar së paku rreth 4.3 milionë amerikanë, duke marrë jetën e rreth 150.000 qytetarëve. Shumë ekspertë frikësohen se virusi mund të shkaktojë vdekjen e rreth 200.000 apo edhe 300.000 amerikanëve deri në fund të këtij viti. Madje edhe presidenti Trump ka filluar ta vendosë maskën, pasi kishte rezistuar ta bënte këtë për disa muaj me radhë dhe gjithashtu ka anuluar manifestimin e Konventës Kombëtare Republikane.

Revolta

Çdo shtet dhe qytet i ka krizat e veta që krijohen nga faktorë të ndryshëm të rrezikshëm: në vend të parë renditen pushimet me grumbuj të njerëzve, pastaj hapja e hershme e lokaleve dhe në fund kemi të bëjmë me revoltën e qytetarëve kundër bartjes së maskave.

“Tani gjendemi në një situatë edhe më të vështirë sesa që ishim në muajin mars”, kur virusi kishte marrë hov në New York, thotë dr. Leana S. Wen, që ishte komisionere shëndetësore në Baltimore. “Më herët kishim vetëm një epiqendër të infeksionit. Por tani kemi shumë më shumë”.

Për të vlerësuar drejtimin në të cilin është duke shkuar shteti, “The New York Times” ka intervistuar 20 ekspertë shëndetësorë dhe jo vetëm ata klinikë dhe epidemiologë, por edhe historianë dhe sociologë, sepse përhapja e virusit varet nga sjelljet e njeriut, po aq sa varet nga vetë sëmundja. Qytetet amerikane nga jugu deri në perëndim, jo vetëm që janë duke u përballur me shpërthime të sëmundjeve vdekjeprurëse, sikur ato që kanë bllokuar qytetet verilindore gjatë stinës së pranverës, por në telashe janë edhe vendet rurale gjithashtu.

Në çdo regjion, njerëzit me ngjyrë vazhdojnë të vuajnë drastikisht më shumë, thonë ekspertët.

Mbase është e vërtetë se nuk ka interesim për izolim të plotë shtetëror, kufizimet lokale duhet të vendosen aty ku është e nevojshme, thonë hulumtuesit, dhe guvernatorët bashkë me qytetarët duhet të kenë qëllime të njëjta. Testimi duhet të bazohet më shumë në shënjestrim.

Çështje e diskutueshme

shumicën e shteteve, ndjekja e kontakteve tani është çështje e diskutueshme – janë thjesht shumë raste për t’u ndjekur. Dhe, edhe pse është shënuar progres në zhvillimin e vaksinës, asnjëra pre tyre nuk pritet të arrijë në kohë këtë dimër për të ndaluar atë që shumë njerëz mendojnë se do të jetë vala e re e vdekjeve.

Në përgjithësi, shkencëtarët kanë përçuar një ndjenjë të rëndë të mërzisë dhe lodhjes. Ku në fillim ka pasur gatishmëri për përballje, pastaj është krijuar një ndjenjë e lodhjes, ndërsa tani duket se kemi të bëjmë me mërzi dhe frustrim, një ndjenjë se të gjitha ato vdekje nuk do të duhej të vinin kurrë dhe se asgjë nuk shkon në rrugën e duhur. SHBA-ja është një gjigant i lënduar derisa shumica e shteteve evropiane edhe pse janë goditur më herët, janë duke shkuar drejt normalizimit dhe rihapjes – megjithëse jo edhe për amerikanët.

“Të gjithë jemi shumë të dëshpëruar, madje edhe të shokuar se sa jashtë kontrollit ka dalë virusi në SHBA”, ka thënë Dr. Michele Barry, drejtor i qendrës për inovacion në drejtimin e shëndetësisë globale në Universitetin e Standfordit.

Me posedimin e gjithë kësaj pasurie dhe talenti për mjekësi, ata pyesin se si ka mundësi që ne jemi përballur kaq dobët me pandeminë? Si kemi prodhuar rezultate jo vetëm më të këqija se Kina autokrate dhe Zelanda e Re e izoluar, por kemi performuar më keq se shtetet shumë të vogla dhe më të varfra si Vietnami dhe Ruanda?

Arrogancë

“Arroganca kombëtare dhe besimi në shkëlqimin amerikan na kanë shërbyer keq”, thotë Martha L. Lincoln, një antropologe dhe historiane në Universitetin Shtetëror të San Franciskos. “Nuk ishim të përgatitur ta shohim rrezikun e dështimit”.

Pasi është gjetur se koronavirusi është shkaktar për pneumoni vdekjeprurëse në Wuhan, Kinë, për herë të parë në fund të vitit 2019, shkencëtarët posedojnë më shumë informata rreth këtij armiku.

Ky virus është jashtëzakonisht shumë ngjitës, jo vetëm përmes kollitjes, por gjithashtu përmes një mjegulle të aerosolit që nxirret kur njerëzit flasin me zë të lartë, qeshin apo këndojnë dhe kjo mund të zgjatet në ajrin që gjendet në hapësira të mbyllura. Si rrjedhojë e kësaj, maskat janë shumë më efektive se që është besuar fillimisht nga shkencëtarët.