Botë

Si po e transformojnë sirianët shoqërinë gjermane

Ka një problem me bukën gjermane. Ajo thërrmohet kur përdoret për të ngjyer vezët e fërguara apo sallatën nga pjata. Gjithashtu, është e vështirë ta mbushësh këtë bukë me mish dhe salcë. Gatimet tradicionale gjermane mund të bëjnë shumë gjëra, por megjithatë s’mund të bëjnë gjithçka.

Prandaj, nuk është çudi që kur e pyesin cili është produkti më i kërkuar në marketin e tij, Mohammad Hanawi, 20-vjeçar, menjëherë përgjigjet me “qubë arabe”, e që është bukë arabe nga brumi. Është shumë e përshtatshme për gatim dhe sirianët e hanë gati në çdo vakt të ushqimit. Disa i japin aq shumë rëndësi saqë nëse një pjesë e bukës bie në tokë, ajo copë nuk hidhet, por e marrin dhe e puthin pastaj e hanë.

Ushqimi sirian, mundësi biznesi

Në një të hëne shkurti, Hanawi u ul prapa banakut të dyqanit dhe e kishte të veshur një xhaketë sportive bardhë e kaltër. Në atë kohë, COVID-19 ende shihej si problem i largët. Pranë tij, babai i tij është duke i peshuar ullinjtë për një blerës. Porositë për marketin e tij Hanawi i shkruan në gjuhën arabe. Ai e ka hapur këtë biznes familjar në janar të këtij viti. Ai thotë se puna po shkon shumë mirë, dhe se fasulet, suxhuku dhe gjethet e thata të rrushit janë gjithashtu shumë të kërkuara nga blerësit. “Gjërat siriane. Kjo u ka munguar njerëzve këtu”.

Kur thotë “këtu”, ai e ka fjalën për zonën Uetersen, në regjionin Pinnebergut afër Hamburgut, në veriperëndim të Gjermanisë. Qyteti ka rreth 19.000 banorë dhe deri në vitin 2015, gati asnjë nga ata nuk kishin prejardhje nga ndonjë shtet i lindjes së mesme. Hanawi thotë se familja e tij ishin ndër të parët që u zhvendosën në këtë qytet. Sot, numri total i sirianëve që jetojnë në këtë qytet është rreth 300.

Ata që vijnë në qytet, shpeshherë pyesin se ku mund ta gjejnë dyqanin me ushqimet më të mira arabe, ai thotë se “kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në Uetersen.” Hanawi ka vendosur t’i mbushë zbrazëtirat me hapjen e këtij marketi. Siç e ka parë edhe familja pas disa muajve, hapja e dyqanit ishte vendim që s’është përballur fare me krizë apo humbje.

Pitalka në “Rrugën arabe”

Për dallim nga shumë dyqane në sektorë të tjerë, Hanawi nuk ishte detyruar ta mbyllë dyqanin gjatë izolimit dhe kërkesat për pitalkat arabe kanë vazhduar pandërprerë.

Siriani vjen nga qyteti i Alepos. Ai e ka ndërprerë shkollimin në Gjermani pas përfundimit të klasës së 9-të dhe e ka hapur dyqanin. “Këtu nuk kam më nevojë për diplomë”, thotë ai. E gjithë familja ka investuar në këtë drejtim. Ata kanë rinovuar një lokal afër stacionit të trenit dhe kanë lënë një shenjë të Lindjes së Mesme në Uetersen.

Popullata gjermane me origjinë arabe është e dukshme në shumë pjesë të shtetit. Në Berlin, sheshi Sonnenalle njihet që një kohë të gjatë në mënyrë jozyrtare si “Rruga arabe”, sepse është nikoqire e shumë lokaleve dhe dyqaneve me origjinë nga Lindja e Mesme. Njëra nga libraritë kryesore në kryeqytetin gjerman tani përmban edhe një sektor arab, dhe para shpërthimit të pandemisë, imami i një xhamie në Hamburg ishte i detyruar të performonte predikimet në dy ndërrime në mënyrë që t’u mundësohej të gjithë besimtarëve të kenë vend brenda xhamisë. Megjithatë, gjatë ditëve të sotshme, ai kontakton me besimtarët përmes platformave online.