Botë

Numër i vogël në pelegrinazhin e sivjetmë në Haxh

Të mërkurën ka nisur në Arabinë Saudite pelegrinazhi vjetor i Haxhit. Por, këtë vit, do të ketë numër më të vogël të besimtarëve myslimanë dhe kjo për shkak të pandemisë me COVID-19.

Fluksi i njerëzve që vizitojnë zonat fetare gjatë pelegrinazhit ka rrezikuar përhapjen e koronavirusit në territorin saudit. Siç raporton AFP-ja, numri i besimtarëve në Haxhin e këtij viti do të jetë nga 1,000 deri në 10,000.

Rituali pesëditor është një prej pesë shtyllave të Islamit dhe detyrë që duhet ta kryejë një herë në jetë secili mysliman që ka aftësi fizike dhe mund ta përballojë udhëtimin.

Çdo vit, më shumë se 2 milionë pelegrinë nga 180 vende të botës udhëtojnë në Mekë, në atë që zakonisht është një prej organizimeve më të mëdha fetare.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Arabia Saudite ka regjistruar më shumë se 270,000 raste të infektimit dhe 2,789 vdekje, si pasojë e koronavirusit.

Ministria për Haxh dhe Umrah e Arabisë Saudite ka thënë muajin e kaluar se vetëm “një numër i kufizuar i myslimanëve” që jetojnë në Arabinë Saudite, do të mund të jenë pjesë e organizimit.

Vendimi për të mos lejuar pelegrinë nga vendet tjera, përveç atyre në Arabinë Saudite nga kryerja e Haxhit, është i pari në historinë moderne të mbretërisë saudite.

Koha e Haxhit vendoset varësisht nga pozita e Hënës, në përputhje me kalendarin hënor islam.