Botë

Si të rrënohet një superfuqi

Descriptive Text

Para 35 e ca vjetësh, paralajmërimet për rënien e përnjëhershme amerikane kanë pasur hov tejet të ngadaltë. Libri bestseller i Paul Kennedyt “The Rise and Fall of the Great Powers” sugjeroi se “tendosja imperiale” mund të shkaktojë nisjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kah shtegu i rënies së Mbretërisë së Bashkuar, një parashikim ky i zymtë që doli të ishte, në rastin më të mirë, i parakohshëm. Dijetarë të tjerë të shquar sugjeruan se Amerika po bëhej një “vend i zakonshëm”, që ka marrë krye drejt një bote “pas hegjemonisë”, vetëm sa të befasohej kur doli të ishte Bashkimi Sovjetik ai që u rrënua, ndërsa SHBA-ja u shfaq si superfuqia e vetme e mbetur. Këto dolën të jenë kushtet ideale për një kombinim të rrezikshëm të arrogancës dhe vetëkënaqësisë.

Deri në mes të viteve ‘90, Shtetet e Bashkuara u gjendën në një pozitë të pashembullt primati në gjithë historinë moderne. Kombinimi i saj i pushtetit ekonomik, ushtarak dhe forcës së butë i tërhoqi gjithë të tjerët, ndërsa dijetarët si William Wohlforth dhe Stephen Brooks ofruan argumente të sofistikuara dhe më se të arsyeshme përse epoka njëpolare mund të zgjasë po aq apo edhe më shumë se epoka bipolare që e parapriu atë.

Ajo që këta optimistë nuk e parashikuan ishte seria e plagëve të vetëshkaktuara që SHBA-ja do t’i pësonte në vitet pasuese, e që do të përkeqësoheshin e rëndoheshin edhe më shumë nën Donald Trumpin.

Në mënyrë të veçantë, keqmenaxhimi skandaloz i pandemisë së COVID-19 prej anës së Trumpit është duke prodhuar efekte afatgjate të dobësimit, të cilat do ta përshpejtojnë edhe më shumë rënien e Amerikës. Edhe po qe se ai mposhtet në nëntor dhe administrata e Joe Bidenit i bën po thuajse të gjitha gjërat ashtu siç duhet, pasojat e sundimit me gabime të Trumpit do të jenë mes nesh për edhe shumë vite të tjera.

Tri gabime

Para Trumpit, gabimet e epokës njëpolare u takonin tri grupeve kryesore. Gabimi i parë ishte adoptimi i një strategjie madhore të hegjemonisë liberale që zotohej në përhapjen e demokracisë, tregjeve dhe vlerave të tjera liberale. Kjo strategji skajshmërisht ambicioze provokoi kundërreagim të ashpër në shumë sfera, shpiu drejt luftërave të panevojshme dhe të kushtueshme që shpenzuan me trilionë dollarë dhe rrezikuan sektorët kyç të ekonomisë amerikane.

Gabimi i dytë ishte që u lejua shprishja e institucioneve publike, përmes lënies së tyre pa resurse dhe më pas fajësimit të tyre për të gjitha problemet tona. Liderët republikanë insistuan në shkurtime tatimore me pasoja fiskale.

Hapi i tretë i gabuar ishte shndërrimi në armë i politikave përkrahëse që nisën me revolucionin e Newt Gingrichit në Kongresin amerikan.

Fatkeqësisht, këta tre trendë ishin po ashtu në përplasje të rëndë me njëra-tjetrën. Rikrijimi i botës, sipas imazhit të Amerikës, është një ndërmarrje enorme. Kësisoj, botës jo vetëm se do t’i nevojitej një ushtri e fuqishme, por edhe forca skajshmërisht profesionale diplomatike për ta menaxhuar rrënimin politik jashtë. Do t’i duhet edhe një ushtri e ekspertëve të trajnuar të zhvillimit, një sërë programesh të sigurisë për t’i trajtuar pasojat destabilizuese të globalizimit ekonomik. Në këtë mënyrë, strategjia madhore e hegjemonisë liberale ishte krejtësisht në përplasje me kërkesën e pafundme për shkurtime tatimore dhe dëshirën shoqëruese për tkurrjen e shtetit. Mbrojtësit e hegjemonisë liberale iu qepën pas këtij problemi, duke supozuar se rrjedha e historisë po anonte kah kjo anë dhe se krijimi i një rendi liberal global do të ishte relativisht i lehtë. Siç ka thënë Fareed Zakaria në vitin 1998, rezultati ishte një “hegjemoni boshe”, meqë SHBA-ja u mundua më kot që ta menaxhojë botën me gjëra të lira.

Thënë troç, hegjemonia liberale nuk do të funksiononte edhe po qe se SHBA-ja do të vendoste t’i përmbahet në mënyrë më serioze dhe të sofistikuar. Por duke e ndjekur këtë shteg në mënyrë gjysmake, Amerika e bëri dështimin të pashmangshëm dhe jo pa një çmim të lartë.

Teposhta e re e gjeneruar prej Trumpit

Pasojat e këtyre tri gabimeve krijuan një mjedis toksik që e lejoi një sharlatan jokompetent dhe narcizoid si Trumpi të mbërrinte deri në Shtëpinë e Bardhë.