Botë

“El Chapo” shpreson t’i falet dënimi i përjetshëm

Joaquin Guzman, i njohur si El Chapo, u dënua me burgim të përjetshëm një vit më parë dhe tashmë po shpreson se një apel mund ta nxjerrë nga burgu i SHBA-së Supermax, thotë avokatja e tij Mariel Colon.

Ish-udhëheqësi i kartelit meksikan Sinaloa, dikur njihej si personi më famëkeq dhe më i fuqishëm i drogës në botë.

Një vit më parë, ai u dënua me burgim të përjetshëm, plus 30 vjet. U shpall fajtor për 10 pika të akuzës për trafikim të drogës, pastrim të parave dhe vrasje.

Që atëherë, ai ka kaluar kryesisht kohën në një qeli në Kolorado prej 8 metrash katrorë.

Avokatja Mariel Colon, në një prononcim për CNN-in tha se Joaquin Guzman është kryesisht i përqendruar në apelin e tij.

El Chapo planifikon të apelojë aktgjykimin përpara afatit, 21 gusht, por shanset e tij për t'u liruar nga burgu janë të pakta.

Të paktën ky është mendimi i agjentit special të DEA-s Ray Donovan, i cili kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij duke e ndjekur Joaqin Guzman për ta arrestuar.

"E vetmja gjë që duhet të dini në lidhje me gjyqin e tij është se ekziston një mal me prova të pakundërshtueshme kundër El Chapos dhe kartelit Sinaloa", tha Donovan për CNN-in.

Prokurorët e quajtën atë një "udhëheqës të pamëshirshëm dhe të etur për gjak".

Dëshmitarët dëshmuan gjatë procesit gjyqësor se Guzman urdhëroi dhe ndonjëherë mori pjesë në tortura dhe vrasje të anëtarëve të karteleve të tjera.

“Zoti meksikan i drogës” dy herë iku nga burgjet në Meksikë, fillimisht më 2001 nga burgu Puente Grande në Jalisco duke u fshehur në një karrocë rrobash, dhe herën e dytë më 2015 nga një burg në qytetin e Altaplano. Iku përmes një tuneli të gjatë një kilometër.

Ish-bashkëpunëtori i tij Damaso Lopez dëshmoi gjatë gjyqit të Joaqin Guzman se ai kërkoi të ndërtohej një tunel që do të lidhte qelinë e tij me pjesën e jashtme, në mënyrë që të kishte lidhje me familjen e tij.

Ai u arrestua gjatë një beteje të përgjakshme me marinsat meksikanë dhe më në fund u ekstradua në Shtetet e Bashkuara në janar 2017, në mënyrë që të përballej me sistemin gjyqësor amerikan.

"Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të më dërgojë në burg dhe emri im nuk do të dëgjohet më kurrë", tha Guzman në gjykatë, para se gjyqtari Brian Cogan të jepte vendimin që e shpalli El Chapon fajtor.