Botë

Bota në “udhëkryq kritik”

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se bota është në një “udhëkryq kritik”, teksa bëri thirrje për model të ri në qeverisjen globale, që do të adresonte pabarazitë që janë rënduar nga kriza e pandemisë së koronavirusit.

“COVID-19 është krahasuar me rrezet X, që shfaqin skeletin e brishtë të shoqërive që kemi ndërtuar”, tha sekretari Guterres.

“Po ekspozon gabimet dhe gënjeshtrat kudo në botë: gënjeshtra se tregjet e lira mund të ofrojnë kujdes shëndetësor për të gjithë, mashtrimin se jetojmë në një botë post-raciste, miti se të gjithë jemi në anijen e njëjtë”, shtoi ai.

Sipas shefit të OKB-së, nxitësit kryesorë të pabarazisë janë racizmi sistematik, patriarkaliteti, boshllëqet në qasjen në teknologji dhe pabarazitë në qeverisjen globale, raporton AP, transmeton KOHA.

Ai tha se bota ka nevojë për politika të reja të mbrojtjes sociale, ku do të përfshiheshin edhe kujdesi shëndetësor dhe mundësia që të ketë barazi globale sa u përket të ardhurave personale.