Botë

Spitalet në Brazil stërmbushen, numri i të infektuarve kalon dymilionëshin

Spitalet në Brazil janë duke pasur vështirësi të mëdha për shkak të fluksit të madh të pacientëve me koronavirus, kur rastet e konfirmuara kanë tejkaluar 2-milionëshin në shtetin e dytë më të goditur në botë.

Më shumë se 45.000 infektime janë raportuar nga Ministria e Shëndetësisë të enjten, por besohet se numrat e vërtetë janë shumë më të mëdhenj për shkak të testimeve të pamjaftueshme.

Edhe pse rastet duket se janë duke u zvogëluar nëpër qytetet e mëdha, infektimet po pësojnë rritje në qytete të reja, shkruan Al Jazeera.

Mjekët nëpër qytetet më të vogla thonë se nuk kanë më shtretër për të trajtuar pacientë më simptoma të rënda të COVID-19, transmeton KOHA.

Presidenti Jair Bolsonaro, i cili është në izolim pasi ishte testuar pozitiv, është kritikuar ashpër për mënyrën se si e ka shpërfillur shpërthimin e rëndë të pandemisë në shtetin e tij.

Ekspertët gjithashtu fajësojnë mungesën e koordinimit në këtë shtet në mes të qeverive shtetërore dhe atyre lokale dhe se disa janë hapur shumë më herët se që kanë rekomanduar ekspertët. Ekspertët e sëmundjeve infektuese thonë se numri i të infektuarve mund të jetë katër ose pesë herë më i madh.