Botë

Protesta në Bjellorusi pasi nuk u pranuan kandidaturat e kundërshtarëve të Lukashenkos

Mijëra qytetarë bjellorusë kanë dalë në protesta, pasi Komisioni Qendror Zgjedhor nuk pranoi kandidaturat e dy kundërshtarëve politik të presidentit Alexander Lukashenko. Komisioni Zgjedhor i Bjellorusisë refuzoi të pranoi kandidaturën e kandidatit opozitar, bankierit Victor Babriko për zgjedhjet presidenciale me arsyetimin se është në paraburgim për shpëlarje të parave, duke nxjerr jashtë vendit 430 milionë dollarë, ka njoftuar Reuters.

Komisioni hodhi poshtë edhe kandidaturën e ish-ambasadorit Valieryj Capkala, i cili menaxhon një park teknologjik për kompani digjitale, duke ia kontestuar nënshkrimet. Të dy kundërshtarët e Lukashenkos vlerësohen si të vetmit që janë në gjendje në rrëzojnë nga pushteti presidentin që udhëheq me vendin tash e 26 vjet, pasi gjithë opozitarët tjerë janë nëpër burgje apo duke u hetuar. Gjatë javëve të fundit, policia bjelloruse ka arrestuar qindra persona me idenë që të dobësojë protestat anti-qeveritare. Delegacioni i BE-së në Bjellorusi ka vlerësuar se Komisioni Zgjedhor ka dëmtuar integritetin dhe demokracinë e procesit zgjedhor.