Botë

Vizitë në shtetet që zyrtarisht nuk ekzistojnë

Që të gjitha kanë qeveritë e tyre, pasaportat, shtetësitë dhe madje valutat, në disa raste. Por për disa arsye të ndërlikuara, një sërë vendesh përreth botës nuk ekzistojnë zyrtarisht – disa madje nuk figurojnë as në hartë.

Ama kjo gjë nuk e ka ndaluar Guilherme Caneverin e CNN-it që t’i vizitojë ato. Shkrimtari brazilian ka udhëtuar në 16 vendet e panjohura midis 2009-s dhe 2014-s dhe kujton tani përvojat e tija në librin më të fundit “Vendet e panjohura: Udhëtimi në vendet që nuk ekzistojnë”, i cili u botua gjatë këtij muaji.

Ndonëse definicioni i një shteti është i hapur për interpretim, për t’u konsideruar i tillë, sipas së Drejtës Ndërkombëtare, një territor duhet të ketë popullatë të përhershme, territor të definuar dhe kontrolle kufitare, aftësinë për t’u vetëqeverisur në mënyrë të pavarur dhe të ketë marrëdhënie me vendet e tjera. Pengesa më e fundit është që të sigurohet njohja si shtet nga Kombet e Bashkuara, gjë kjo që sjell një sërë përfitimesh, si qasjen në rrjetet ekonomike. Ato që nuk njihen nga OKB-ja nuk pranohen zyrtarisht si shtete, ani pse njihen nga vendet e tjera, dhe si rezultat i kësaj mund të përballen me shumë telashe.

Canever është mrekulluar me vendet e kontestuara, pasi të ketë vizituar Somalilandin, një shtet ky aspirues që ndodhet në Bririn e Afrikës, që ka kërkuar pavarësim nga Somalia qysh nga viti 1991.

“Kam udhëtuar përreth Afrikës më 2009 dhe përfundova në Somaliland”, ka thënë ai. “U shokova kur mësova se aty nuk mund të përdorja paranë e Somalisë. Mandej nisa të mësoja se ky ishte një vend me institucione të veta, ligje dhe valutë. Por nuk ishte i njohur nga ndonjë vend tjetër. Dukej sikur ndodhesha në një univers paralel”.