Botë

Polici i kishte thënë George Floydit të heshtte

Polic amerikan i akuzuar për vrasjen e George Floydit, i kishte thënë të ndjerit të heshtte ndërsa afro-amerikani vazhdimisht thoshte se nuk po mund të marrë frymë, thuhet në dokumentet e gjykatës.

Afro-amerikani Floyd vdiq në paraburgim të policisë, ndërsa polici Derek Chauvin, i kishte vënë gjurin në qafë. Katër policët e përfshirë në këtë rast u arrestuan: Chauvin për vrasje, ndërsa tre tjerët – Thomas Lane, J Alexander Kueng dhe Tou Thao – për asistim në vrasje.

Transkripti i bisedës mes policisë dhe Floydit është bërë publik të enjten.

Në një moment Floyd, i prangosur, tregon se nuk po mund të marrë frymë, dhe shton: “Do të më mbysësh”.

Chauvin, që shihet në xhirime duke mbajtur gjurin në qafën e Floydit për afro tetë minuta, përgjigjet: “Atëherë mos fol, mos bërtit. Shpenzon shumë oksigjen kur flet”.

Në transkprite thuhet se Floyd ishte bashkëpunues në fillim të arrestimit, duke u kërkuar vazhdimisht falje policëve ndërsa ata iu afruan veturës së tij. Polici Lane i kërkoi Floydit së paku dhjetë herë që të tregojë duart, para se t’i kërkojë të dalë nga vetura.