Botë

Qyteti i heshtjes

Në një dhomë të vogël, në një fshat në periferi të Wuhanit, një plakë lutet pa pushim në heshtje dhe me gishta troket numërueshëm në tavolinë. Përballë saj, një tjetër grua po shkrehet qetas në vaj.

Në fillim të shkurtit, i vdiq vëllai 44 vjeç nga koronavirusi, dhe ajo nuk mund të pajtohet me fatin. Pas ceremonisë, Wang – ajo nuk dëshiron ta tregojë emrin e plotë – thotë se shamani mori një mesazh nga varri. Vëllai i saj, Wang Fei, e kishte shfajësuar nga çdo e ligë.

“Feifei nuk më mban përgjegjëse”, thekson ajo, duke iu referuar vëllait me emrin përkëdhelës me të cilin familja i drejtohej në fëmijëri. “Ai po mundohej të ma qetësonte shpirtin dhe të ma mbushte mendjen që ta pranoja vdekjen e tij”.

Nën llupën e policisë

Vëllai i saj vdiq nga sëmundja COVID-19, e shkaktuar nga infektimi me virusin korona. Ai kishte kaluar ditët e fundit në spital, duke i shkruar një mori mesazhesh për gjendjen nëpër të cilën po kalonte.

“Ndihem i këputur me shpirt”, i shkruante ai. “Kjo sëmundje po më zvarrit. U bë kohë e gjatë”. Faji që ndien Wang është një prej rezultateve më të ashpra të pandemisë botërore – izolimi i detyruar i të prekurve nga familjet e tyre.

“Nuk mund të shkoja në spital të kujdesesha për të”, thotë ajo. “Kur mora vesh se vdiq, thjesht nuk mund ta pranoja. Familja ime është thyer shpirtërisht”.

Ajo ende është në kërkim të përgjigjeve për vdekjen e vëllait – nëse i ishte ofruar kujdesi i nevojshëm mjekësor dhe nëse ishte bërë mjaftueshëm për t’ia shpëtuar jetën. Por, Wangit kaherë i është thënë urdhërueshëm nga policia që ta qepë gojën për mediat e huaja dhe vendimi i saj për ta anashkaluar paralajmërimin ngërthen në vete rrezik të madh.

Një grua që ishte marrë vesh të jepte intervistë, vjen në makinë, por menjëherë shfaqet policia kineze para makinës. Ekipi e takon një burrë me të cilin bisedon në terr në brigjet e Liqenit Lindor të Wuhanit. Ai thotë se dy herë i kishte shkuar policia në shtëpi pse kishte folur për vdekjen e babait.

Gazetarët e viktimat, me mision të njëjtë

Për viktimat dhe gazetarët, shtruarja e pyetjeve se si dhe pse plasi virusi në Wuhan dhe nëse do të mund të frenohej më mirë përhapja e tij, nuk është aspak punë e lehtë.

Por, si epiqendër e kësaj të keqe botërore është e domosdoshme të shtrohen pyetje. Nuk është punë qejfi. Është punë zori.