Botë

Unioni Demokratik Kroat fiton bindshëm zgjedhjet parlamentare në Kroaci

Descriptive Text

Unioni Demokratik Kroat (HDZ) ka fituar bindshëm zgjedhjet parlamentare në Kroaci që u mbajtën të dielën. HDZ-ja ka fituar 66 ulëse në parlamentin kroat me 151 ulëse, shkruan agjencia AP.

HDZ-ja do të formojë një koalicion të ri qeverisës me grupet e vogla të krahut të djathtë.

“Një rezultat i tillë për HDZ-në, nuk është vetëm i madh, por edhe obligim. Është obligim pasi kemi pasur një mandat plotë sfida prapa nesh dhe sfidat para nesh janë edhe më të mëdha”, ka thënë lideri i HDZ-së, Andrej Plenkoviq.

Një aleancë e udhëhequr nga Partia Social Demokrate (SDP), partia kryesore opozitare, ka fituar 41 ulëse. Ndërkohë në vendin e tretë ka dal partia e krahut të djathtë “Domovinski Pokret”, e udhëhequr nga këngëtari Miroslav Skoro, që ka marrë 16 ulëse.

Lideri i SDP-së, Davor Bernardiq, ka pranuar humbjen dhe ka thënë se do të jap dorëheqje nga pozitat udhëheqëse.

“Sigurisht, ky është një rezultat i keq dhe jam i gatshëm të largohem”, ka thënë Bernardiq.