Botë

239 ekspertë: Koronavirusi rri dhe bartet përmes ajrit

Foto: Alban Bujari / KOHA

Koronavirusi po gjen viktima të reja nëpër tërë botën, në kafene, restorante, zyra, shitore dhe kazino, duke rritur infektimet të cilat vazhdimisht e më shumë konfirmojnë atë që shumë shkencëtarë po thonë me muaj: virusi mbetet në ajër në vende të mbyllura, dhe infekton ata që janë aty.

Nëse transmetimi me anë të ajrit është faktor i madh për pandeminë, posaçërisht në vende të mbushura me njerëz dhe ventilim të dobët, pasojat në përhapje do të jenë të mëdha. Do të kemi nevojë për maska edhe në hapësira të mbyllura, pavarësisht distancimit social. Punonjësit në shëndetësi do të kenë nevojë për maskat N95 të cilat filtrojnë edhe grimcat më të vogla të virusit gjersa kujdesen për pacientët.

Sistemet e ventilimit nëpër shkolla, shtëpi për të moshuar, banesa dhe biznese duhet të minimizojnë riqarkullimin e ajrit dhe të përdorin filtra të rinj dhe të fuqishëm. Do të kemi nevojë për dritë ultra violete për të mbytur grimcat e vogla të virusit që rrinë pezull në ajër.

Organizata Botërore e Shëndetësisë qe një kohë të gjatë ka thënë se koronavirusi përhapet kryesisht nga spërklat që dalin nga kanalet e frymëmarrjes, me anë të kollit ose teshtimës, dhe se këto pika shpejtë bien në tokë, transmeton KOHA.

Por në një letër të hapur dërguar OBSH-së, 239 shkencëtarë nga 32 shtete të ndryshme kanë theksuar dëshmitë që tregojnë se grimcat e vogla të mbetura në ajër infektojnë gjithashtu, dhe i kanë bërë thirrje kësaj organizate që të rishikojë rekomandimet. Hulumtuesit do të publikojnë gjetjet e tyre në një revistë shkencore javën që vjen, shkruan “NYTimes”.

Edhe në rekomandimet e fundit të dhëna nga OBSH më 29 qershor u tha se transmetimi nëpërmes ajrit ishte i mundshëm vetëm pas procedurave mjekësore ku lirohen grimcat në ajër të cilat janë më të vogla se 5 mikronë.

Andaj ventilimi dhe maskat N95 janë të nevojshme vetëm në ato situata, sipas OBSH-së. Në vend të kësaj, udhërrëfyesi për ndalimin e infektimeve, para dhe gjatë pandemisë, ka promovuar rëndësinë e larjes së duarve si strategji kryesore të preventivës, edhe pse ka shumë pak dëshmi se transmetimi i virusit vjen nga prekja e sipërfaqeve.

Por intervistat me afro 20 shkencëtarë, përfshirë edhe shumë këshilltarë të OBSH-së dhe disa anëtarë të komitetit që përpiluan udhëzimet, tregojnë për një organizatë e cila, pavarësisht qëllimeve të mira, nuk është në hap me shkencën, sipas raportimit.

Përfundimisht, këta shkencëtarë kanë thënë se, pavarësisht a po flasim për udhëtimin e virusit nëpër ajër me anë të pikave të mëdha pas një teshtitjeje, apo nga grimcat shumë më të vogla që dalin nga frymëmarrja e të infektuarit dhe mbesin në ajër, koronavirusi rin në ajër, dhe mund të infekton njerëzit me anë të frymëmarrjes.

Shume ekspertë kanë thënë se OBSH-ja duhet të marrë një qasje të “parimit të parandalimit”, ku edhe pa dëshmi definitive, agjencia duhet të aplikojë logjikën dhe të rekomandojë mbrojtjen më të mirë të mundur.

Dr. Soumya Swaminathan, shkencëtarja kryesore e OBSH-së, ka thënë se anëtarët e kësaj agjencie po përpiqen të vlerësojnë dëshmitë e reja shkencore sa më shpejt që është e mundur.

“Ne e marrim seriozisht kur gazetarët apo shkencëtarët apo kushdo na sfidon dhe na thonë se mund të bëjmë më mire”, tha ajo. “Ne definitivisht duam të bëjmë më mirë”.