Botë

Javë tmerri për SHBA-në, me numrin rekord të infektimeve

Foto: Reuters

SHBA-ja e ka thyer këtë javë katër herë rekordin e saj, kur është në pyetje numri i të infektuarve, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.

Shtatë ditë para 1 korrikut, ky shtet, që ka numrin më të lartë të rasteve dhe vdekjeve në tërë botën, konfirmoi 40.000 raste në katër ditë ndaras, shkruan “The Guardian”.

Të mërkurën rastet shkuan mbi 50.000 fillimisht në SHBA, me 51.200 të infektuar brenda 24 orëve.

Rritja e rasteve po ndodh derisa pandemia ka filluar të kërcënojë një pjesë më të gjerë të shtetit.

Afro 10 shtete më shumë në SHBA e kaluan kufirin me të cilin tani konsiderohen epiqendra.

Në SHBA tani janë rreth 2.739.230 raste të konfirmuara dhe 128.743 vdekje, transmeton KOHA.

Brazili, i dyti pas SHBA-së, ka afro 1.5 milionë raste të konfirmuara, pas shtimit të 48.105 rasteve të reja të enjten. Në Brazil, ka 1.496.858 raste të infektuara dhe 61.884 të vdekur.

OKB-ja ka parashikuar se do të shuhen afro 2.7 milionë biznese dhe do të humben 8.5 milionë vende pune në Amerikën Latine për shkak krizës së koronavirusit. Komisioni ekonomik i OKB-së për këtë rajon ka thënë se shitoret, hotelet dhe restorantet, shumica e të cilave janë biznese të vogla dhe të mesme, do të preken më së shumti.

Rastet globale po i afrohen 11 milionëshit. Tashmë janë 10.842.615 infektime të konfirmuara në tërë botën dhe 520.785 të vdekur.