Botë

Sindelar emërohet presidente në detyrë e REL-it

Agjencia e Shteteve të Bashkura për Median Globale (USAGM) emëroi Daisy Sindelar në postin e presidentes në detyrë të Radios Evropa e Lirë dhe Elez Biberajn president në detyrë të ‘Zërit të Amerikës’.

Këto emërime, si dhe ato të tre drejtuesve të transmetuesve të tjerë ndërkombëtarë - Radio Azisë së Lirë, Rrjetit Transmetues të Lindjes së Mesme dhe Zyrës së Transmetimit të Kubës - u bënë publike në një njoftim të postuar të martën në ueb-faqen e USAGM-së.

Ato vijnë disa ditë pasi në krye të USAGM-së erdhi Michael Pack.

Pack u konfirmua në postin e shefit ekzekutiv nga Senati i Shteteve të Bashkuara, më 4 qershor, afro dy vjet pasi ishte emëruar në këtë post nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Rreth dy javë më pas, ai ka larguar nga puna presidentin e Radios Evropa e Lirë, Jamie Fly, dhe drejtuesit e tre transmetuesve të tjerë ndërkombëtarë, kurse drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett, ka dhënë dorëheqje paraprakisht.

Pack tha se emërimet e reja “do të shërbejnë në role kritike, për të mundësuar që rrjetet tona të kenë rezultate më të larta dhe për t’i shërbyer më me efikasitet audiencës sonë”.

Sindelar, tani presidente në detyrë e Radios Evropa e Lirë, ka shërbyer deri më tash në postin e zëvendëspresidentes dhe të kryeredaktores së këtij mediumi.

USAGM ka nën mbikëqyrje pesë subjekte: Zërin e Amerikës, Radion Evropa e Lirë, Radion Azia e Lirë, Rrjetin Transmetues të Lindjes së Mesme dhe Zyrën e Transmetimit të Kubës.

Këto subjekte kanë një buxhet të kombinuar prej 798 milionë dollarësh dhe ofrojnë përmbajtje në platformat digjitale, televizion dhe radio, në më shumë se 100 shtete në gjithë botën.