Botë

Gazetarja refugjate, beteja e madhe për ribashkimin e familjes

Në një natë të errët të shtatorit 2014, krejt jeta e saj ishte bërë troç në valixhen e kuqe.

Te dera e taksisë, nëna lutej për sigurinë e saj. Babai qëndronte në distancë, i bindur se më nuk do ta shihte të bijën.

Pesë vjet më vonë, gazetarja siriane Riham Alkousaa mezi i ndalte lotët kur përqafoi babanë në aeroportin e Berlinit.

Ishte bërë pjesë e 700 mijë refugjatëve sirianë që përfunduan në Gjermaninë që u ofroi strehim.

“Teksa kalojnë vitet e bindni veten se nuk ju mungojnë më prindërit. Mësoni të jetoni pa praninë e tyre. Jetoni me këtë mendim deri në momentin kur i shihni për herë të parë dhe ndjenja ju godet për krejt ato vite që nuk i keni parë prindërit. Krejt këto po i mendoja në momentin kur përqafova babanë pas tërë atyre viteve”, thotë Alkousaa.

Që prej shtatorit të vitit 2014, gazetarja siriane ka shkruar shumë tekste për tentimet e refugjatëve që Gjermaninë ta bëjnë shtëpi, duke tentuar ribashkimin me familjet e tyre.

Si gazetare që mbuloi një prej krizave më të mëdha të refugjatëve në shekullin 21, ajo ka raportuar për pritjen, vetminë dhe procedurat e gjata me dokumente që shtynin çdo ditë bashkimin e familjeve.

Pasi u largua nga Siria në moshën 23-vjeçare, ajo tentoi të takohej me prindërit në Liban, Algjeri, Sudan, Iran dhe Malajzi. Krejt këto shtete ende ofronin viza për sirianët. Por familja e saj ishte me prejardhje palestineze, kështu që u shuan shpresat për një takim.

Aplikacioni i thirrjeve WhatsApp i ndihmoi të krijonte një iluzion të kontaktit dhe afërsisë me prindërit. Në fillim shihte thirrjet e humbura nga nëna, që më vonë mësoi për mesazhet me zë. Kështu këto mesazhe u bënë rutinë e mëngjeseve kur prindërit pinin kafe.

Thotë se moment më të mirë në jetë nuk kishte përjetuar sesa kur mori vesh se ekzistonte një program për ribashkimin e familjeve siriane e irakiane.

“Kur nënshkrova dokumentet i thashë zyrtares: ‘A e dini se po ndryshoni një jetë?’. Ajo më tha: ‘Jam e lumtur që po e bëj këtë’. Dhe, në fakt, ndryshoi jetën sepse njerëzve u jep shpresë. Të jep pak shpresë për të menduar për të ardhmen”, shprehet ajo.

Pas më shumë se gjashtë muajsh pritjeje për rregullim të dokumenteve, Alkousaa, më në fund, do ta takonte familjen.

“Këtu ndihem si në shtëpi, por e di se jam e huaj. Nëse do të kthehesha në Siri nuk do të ndihesha si në shtëpi, pasi shumica e miqve kanë ikur dhe shtëpia është bërë rrafsh me tokë. Nuk kam përse të kthehem. Berlini më është bërë shtëpi, por kur e humbni shtëpinë një herë, nuk mund të bëni tjetër shtëpi”, thotë Alkousaa.

Në mbrëmje dimri të vitit 2019, Alkousa ishte në aeroportin Tegel në Berlin. Të afërmit i njohu, teksa pjesëtarët e sigurimit buzëqeshnin. E dinin sepse tashmë ishin mësuar me skenat e ribashkimit.