Botë

Britania “duhet të përgatitet për valë të dytë”

Autoritetet shëndetësore janë duke bërë thirrje për rishikim urgjent të situatës shëndetësore, për të vërtetuar nëse Mbretëria e Bashkuar është e përgatitur për “rrezikun real” të valës së dytë të koronavirusit.

Në një letër të hapur, të publikuar në revistën shkencore “British Medical Journal”, ministrat britanikë janë paralajmëruar që duhen marrë masa urgjente për të parandaluar humbjen e jetës së njerëzve. Letra është nënshkruar nga udhëheqës të spitaleve, infermierë, dhe nga mjekë të përgjithshëm.

Ky lajm vjen pasi kryeministri britanik, Boris Johnson, ka prezantuar ndryshimet e masave të izolimit në Angli. Departamenti për Shëndetësi ka thënë se do të vazhdojë të shikojë udhëzimet e fundit shkencore dhe do t’i ofrojë Sistemit Kombëtar të Shëndetit në Britani “gjithçka që i duhet”. Të martën, kryeministrit Johnson ka thënë se restorantet, kinematë dhe parukeritë do të mund të rihapen më 4 korrik.

Distanca fizike do të zëvendësohet me masën “një metër plus”, që nënkupton se njerëzit duhet të qëndrojnë larg njëri-tjetrit të paktën 2 metra kur munden, mirëpo përndryshe mund të marrin masa të tjera, siç është vendosja e maskës. Pak pas këtij njoftimit, liderët shëndetësorë kanë bërë thirrje “për rishikim të shpejtë” të situatës, për të kuptuar sa është e përgatitur Mbretëria e Bashkuar për shpërthimin e ri.

“Ndonëse shkalla e përhapjes së pandemisë në Britani është vështirë e parashikueshme, të dhënat aktuale tregojnë se shpërthimet lokale janë të mundshme dhe se vala e dytë përbën rrezik real”, kanë shkruar ata.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar 307,682 persona të prekur me koronavirus. Prej tyre 43,011 kanë vdekur.

BE-ja paralajmëron vazhdimin e mbylljes për amerikanët

Ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë diskutuar planin e hapjes së kufijve të jashtëm më 1 korrik, por udhëtarët nga Shtetet e Bashkuara mund të jenë në mesin e atyre që nuk do të lejohen të hyjnë në Evropë. Një numër i shteteve evropiane dëshirojnë hapjen e kufijve për ringjalljen e ekonomisë, por shumica e tyre janë të shqetësuara se mund të nisë vala e dytë e koronavirusit. Përveç Shteteve të Bashkuara, nga lista e shteteve të sigurta janë hequr edhe Brazili dhe Rusia. Të dy vendet kanë numrin më të lartë të infektimeve në javët e fundit. 27 vendet anëtare të BE-së fillimisht janë pajtuar me masat që shtetet tjera duhet t’i plotësojnë para se të vendosen në listën e sigurt të BE-së. Moslejimi i udhëtarëve nga SHBA-ja mund të jetë problem diplomatik për BE-në, pasi më 14 mars, presidenti Donald Trump mbylli kufijtë për Evropën. Këtë vendim të Trumpit në muajin mars e kishte kundërshtuar BE-ja.

(Reuters/BBC)