Botë

Britania lehtëson masat me idenë se nuk ka rrezik nga vala e dytë e koronavirusit

Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, njoftoi se do të lehtësohen dukshëm masat e kufizimeve që u vendosën për të parandaluar koronavirusin, duke thënë se kjo po bëhet e mundur për shkak rënies së numrit të infektimeve dhe se besohet që tash për tash nuk ka rrezik të një vale të dytë, shkruan Reuters të martën.

“Numrat e infektimeve të reja janë duke rënë për dy deri katër për qind brenda ditës”, tha Johnson në Parlament.

“Pandemia ka shkaktuar plagë të përjetshme dhe vajtojmë për secilin person që e kemi humbur. Edhe pse mbesim vigjilentë, nuk besojmë se për momentin ekziston rreziku i një vale të dytë të infektimeve që do të mbingarkojë Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë”, shtoi Johnson.

Me lehtësimin e masave, Johnson tha se shumica e bizneseve do të mund të hapen nga 4 korriku, transmeton KOHA.

Këto ndryshime do të mundësojnë takimin e familjeve në çfarëdo ambienti, do të hapen kafenetë, restorantet, floktarët, objektet fetare si dhe shumica e atraksioneve të turizmit.

Klubet e natës, palestrat e mbyllura dhe pishinat do të mbesin të mbyllura.

Ai ka shtuar se të gjitha kufizimet nuk mund të hiqen përnjëherë dhe se njerëzit duhet të mbesin vigjilentë dhe të përdorin logjikën.

Shkollat fillore dhe të mesme do të rinisin nga shtatori, ndërsa dasmat mund të mbahen me më së shumti 30 mysafirë. Teatrot dhe koncertet do të rinisin programin gjithashtu.

Britania është njëra nga vendet me numrin më të lartë në botë të vdekjeve nga COVID-19. Deri më tash kanë vdekur mbi 42.000 persona.

Zyrtarët shëndetësorë të hënën njoftuan për 15 vdekje, numri më i vogël ditor që nga mesi i marsit.