Botë

Beteja për të qenë destinacioni më i sigurt i Evropës

Që të dyja kanë plazhe, ushqim të mirë, histori të bollshme dhe rreze përcëlluese dielli. Ama, dy prej destinacioneve kryesore turistike tani po e promovojnë veten si më të sigurtat e Evropës, teksa përpiqen me mish e shpirt që t’i joshin vizitorët e duhur për t’i gjallëruar ekonomitë e stagnuara nga koronavirusi.

Si Portugalia, ashtu edhe Greqia, të cilat gjatë kësaj jave i hapën dyert gjerë e gjatë për vizitorët ndërkombëtarë, po i lartësojnë shifrat e tyre relativisht të ulëta të rasteve të infeksionit me virus dhe masat gjithëpërfshirëse të mbrojtjes për ta mbajtur atë nën kontroll, shkruan CNN.

Dhe që të dyja ballafaqohen me rrezik financiar po qe se nuk arrijnë t’i bindin turistët që t’i vizitojnë.

Kryeministri portugez, Antonio Costa, beson se shteti i tij mbetet po aq joshës sa gjithherë, por ka lansuar një fushatë të re për lartësimin e sigurisë së saj, transmeton KOHA.

“Të gjitha arsyet për ta vizituar Portugalinë akoma qëndrojnë, andaj turistët janë të mirëseardhur”, ka thënë ai.

Portugalia ka shkallën ndër më të ulëtën në Evropë të vdekjeve nga COVID-19 – 1.520 fatalitete për diç më pak se 11 milionë banorë – dhe qeveria shpreson se menaxhimi me pandeminë do të ndihmojë vendin që t’i mposhtë të tjerat në përpjekjen për t’i bindur pushuesit e mundshëm për ta vizituar.