Botë

Australia do t’i rivendosë masat e kufizimit në disa rajone

Descriptive Text

Shteti i dytë më i populluar i Australisë lajmëroi të shtunën se do të rivendosë kufizimet e rrepta sa i përket tubimeve në shtëpi dhe në vende publike, pasi numri i të infektuarve shënoi rritje për katër ditë me radhë, raporton Reuters.

Kryetari i shtetit të Victorias Daniel Andrews i qortoi njerëzit që po shpërfillin këshillat e distancimit social duke bërë gjëra si përqafimet dhe puthjet, dhe vendosi kufizimin e vizitave në pesë njerëz në shtëpi, dhe dhjetë njerëz në vende publike, transmeton KOHA.

Kufizimet, që do të hyjnë në fuqi të hënën dhe do të zgjasin deri më 12 korrik, do të kthejnë prapa lehtësimet e nisura në fillim të këtij muajit ku lejoheshin tubimet brenda dhe në vende publike deri në 20 persona.

“Është e papranueshme që familjet në shtetin tonë, vetëm pse kanë dëshirë që kjo të merr fund, bëhen kinse ka përfunduar. Nuk është ashtu”, tha Andrews në një konferencë për media, duke theksuar rritjen e transmetimeve të virusit përbrenda familjeve që nga muaji prill.

Zyrtarët raportuan 25 raste me COVID-19 të shtunën, përfshirë familje që kishin mbajtur takime dhe punonjës në një hotel ku po mbaheshin udhëtarët e karantinuar.

Australia ka raportuar 102 vdekje nga COVID-19, numër relativisht i vogël krahasuar me shifrat në nivelin global.