Botë

Rreth 80 milionë të zhvendosur gjatë vitit 2019

Rreth 80 milionë njerëz në gjithë botën, që i bie rreth një për qind e gjithë popullatës, janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre gjatë vitit të shkuar për shkak të konflikteve, është bërë e ditur nga Kombet e Bashkuara.

UNHCR-i në raportin vjetor “Trendet globale” thotë se ky numër është për nëntë milionë më i madh krahasuar me vitin e shkuar dhe për 41 milionë më i madh krahasuar me vitin 2010.

Sipas të dhënave në raport, 79.5 milionë të të zhvendosurve i përbëjnë banorët e Sirisë, Venezuelës, Afganistanit, Sudanit Jugor dhe Mianmarit.

“Shifra prej 80 milionëve është më e madhja qëkur UNHCR-i ka nisur sistematikisht të regjistrojë të dhënat dhe kjo është shumë shqetësuese. Kjo është përafërsisht një për qind e gjithë popullatës në botë”, ka thënë komisari i lartë i Kombeve të Bashkuara për refugjatët, Filippo Grandi.

Ai ka thënë se 73 për qind e të zhvendosurve kanë kërkuar azil në shtetet fqinje. Sipas të dhënave të UNHCR-it, 107.000 të zhvendosur kanë kërkuar azil në vendet e treta.