Botë

Tensione në Budvë pasi policia arrestoi kryebashkiakun e shkarkuar

Kryebashkiaku i Budvës Marko Careviq dhe kryetari i Këshillit bashkiak i këtij qyteti në Mal të Zi, Krsto Radoviq, janë arrestuar sot në mëngjes nga policia.

Sipas “Vijesti.me”, menjëherë para objektit të Kuvendit Komunal janë mbledhur me qindra qytetarë dhe zyrtarë komunalë. Policia, sipas mediave, është dashur të përdorë edhe gaz lotsjellës, ndërkohë që të arrestuarit i ka nxjerr nga dera e pasme e objektit. Qytetarët janë mbledhur edhe para stacionit të Policisë, duke protestuar për arrestimin e zyrtarëve të lartë.

“Vijesti.me” shkruan se Policia u ka bërë thirrje qytetarëve disa herë të shpërndahen, por ata kanë bërë të kundërtën. Po ashtu, raportohet se turmën e qytetarëve e ka nxitur ish-kryebashkiaku i Budvës, Dragan Krapoviq.

Në këtë aksion janë arrestuar edhe disa zyrtarë tjerë komunalë. Në videot e publikuara, zyrtarët shihen duke u tërhequr zvarë.

Deri te kjo përplasje ka ardhur pasi inspektorët e Administratës pranë Ministrisë së Administratës Publike kanë tentuar të hyjnë dje në Kuvendin Komunal për të fuqizuar vendimin e shumicës së re të Këshillit Bashkiak, e cila votoi për shkarkimin e Careviqit dhe Radoviqit, por janë penguar.

Pas kësaj, kryebashkiaku i shkarkuar shtroi padi ndaj inspektorëve dhe vendosi “të mbrojë” objektin e Kuvendit Komunal me forcë, për çka edhe u arrestua sot në mëngjes, bashkë me disa zyrtarë të tjerë.

Mediat në Serbi i kanë dhënë konotacion politik kësaj ngjarje.