Botë

Evropa të ngrihet kundër Kinës

Prosperiteti i Evropës varet normalisht prej sistemit që siguron qarkullim të lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit, dhe – sado që populistët mund ta kundërshtojnë – fuqisë punëtore. Por viti 2020 po kthehet në një vit të mbrapshtë për rregullat në rendin ndërkombëtar të bazuar në rregull.

Evropa është vënë ndërmjet dy zjarreve për shkak të presionit të lidershipit kinez që beson në rend, por jo në rregulla, dhe presidentit amerikan i cili nuk beson në asnjërën. Bashkimi Evropian nuk mund të pretendojë se as Xi Jinping e as Donald Trump do të largohen nga skena politike ose se do të ndryshojnë pikëpamjet e tyre në të ardhmen e afërt. Duhet të mendojë për fillimin e planifikimit për një botë në të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës më nuk janë mburoja kryesore e rendit ndërkombëtar dhe e sigurisë evropiane, dhe ku fuqia ekonomike e Kinës mbështetet me guximin ushtarak botëror.

Diplomacia e maskave

Bashkimi Evropian duhet të fillojë të ngadalësojë procesin e të kthyerit në një aktor ndërkombëtar më të pavarur, i aftë për t’u matur me rivalët e vet dhe për të mbrojtur vlerat dhe interesat e veta. Deri tani reagimi i BE-së ndaj autoritarizmit në ngritje të Kinës ka qenë i plogësht.

Qëndrimi i tij deri në njëfarë pike është i kuptueshëm. Mbi të gjitha, tregtia me Kinën është jetike për ekonominë evropiane – dhe do të jetë e vështirë që 27 shtetet anëtare të pajtohen për politika të besueshme.

Edhe para plasjes së krizës së COVID-19, Kina ka qenë në gjendje të përdorë fuqinë e saj si levë nëpërmjet investimeve në disa shtete anëtare të BE-së për të bllokuar nëpërmjet tyre kritikat e BE-së ndaj gjendje së të drejtave të njeriut në Kinë. Gjatë pandemisë, Pekini përdori të ashtuquajturën diplomaci maskash – dërgimin e materialit mjekësor mbrojtës në Itali dhe gjetiu – për të shmangur vëmendjen nga Pekini për përhapjen fillestare të virusit korona.

Vjet BE-ja e ka përshkruar Kinën si rivale sistematike. Në një plan veprimi prej dhjetë pikash, megjithatë, BE-ja nuk doli me propozime se si do të mund t’i rezistonte sfidës sistematike ose promovimit të vlerave të saj si reagim. Por duhet të veprojë tani.

Rivalja “aleate”

Nën presidentin Xi, Kina është kthyer në një vend më represiv qysh prej masakrës së Sheshit Tiananmen më 1989, me së paku një milionë ujgurë në rajonin Xinjiang të burgosur në kampet e indoktrinimit. Dhe ligji i ri i sigurisë në Hong-Kong ka konfirmuar çfarë i druheshin aktivistët e demokracisë: Kina mëton të gërryejë autonominë e garantuar të Hong-Kongut në Deklaratën e përbashkët sino-angleze të vitit 1985.

Në një deklaratë të BE-së pas diskutimit të ministrave të jashtëm më 29 maj, thuhej se hapat e ndërmarrë nuk ishin në pajtim me zotimet ndërkombëtare kineze. Por edhe kjo qasja as mish, as peshk mbeti në hije për shkak se u mor vesh se vetëm shefi i diplomacisë suedeze kishte sugjeruar se BE-ja duhej t’i vinte Kinës sanksione – dhe prej faktit se shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrel, e quajti Kinën “aleate” në një konferencë për media pas publikimit të deklaratës.

Nëse Kina është një rivale sistematike – dhe në thelb është – BE-ja duhet të sigurohet se vlerat e saj, e jo autoritarizmi i Partisë Komuniste Kineze, duhet të vihen në krye të agjendës.

Shtetet anëtare duhet t’u ofrojnë statusin e refugjatëve qytetarëve të Hong-Kongut, të cilëve po u kërcënohen të drejtat, sikur tashmë ka bërë Mbretëria e Bashkuar: Kryeministri Boris Johnson ka propozuar që pothuajse tre milionë qytetarëve të Hong-Kongut t’u jepet shtetësia britanike me të drejtë për të jetuar në Mbretërinë e Bashkuar, duke hapur shtetësi me të drejta të plota sikurse britanikët vendës.

BE-ja, të ndajë mendjen

Shtetet anëtare të BE-së duhet ta bëjnë të qartë gjithashtu gatishmërinë për vënien e vizave kinezëve ose zyrtarëve të Hong-Kongut të përfshirë në çfarëdo forme të shtypjes, sikur ka vepruar SHBA-ja. Në vendet e tyre ato duhet të marrin masa edhe për t’iu kundërvënë operacioneve të ndikimit kinez, përfshirë kampet universitare, dhe që të sigurohen se studentët kinezë që studiojnë në Perëndim nuk do të organizohen për të vepruar si agjentë të partisë.

Analizë e "Foreign Policy Magazine"