Botë

Asnjë rast prej 24 ditësh, koronavirusi shpërthen sërish në Zelandën e Re

Zelanda e Re ka konfirmuar dy raste të reja me koronavirus, 24 ditë pasi s’kishte shënuar asnjë infeksion të ri.

Dy gratë pozitive, të cilat janë familje me njëra-tjetrën, kanë udhëtuar nga Britania e Madhe dhe ishin të pajisura me një leje të veçantë për të shkuar në funeralin e një të afërmi.

Nuk dihet nëse dy gratë janë me origjinë nga Britania e Madhe, nga Zelanda e Re apo nga ndonjë vend tjetër.

Javën e kaluar Zelanda e Re hoqi disa nga masat kufizuese, duke e shpallur vendin “të lirë nga virusi”.

Dy gratë, njëra 30 dhe tjetra 40 vjeçe, mbërritën në Zelandën e Re më 7 qershor, përmes Dohas dhe Brisbanes, dhe u vendosën në karantinë. Ato qëndruan në izolim në një hotel në Auckland dhe më 12 qershor aplikuan për një leje për të vizituar të afërmin që ishte duke ndërruar jetë. Më 13 qershor atyre iu dha leja për të udhëtuar në Wellington.

Njëra prej tyre kishte simptoma të lehta të virusit. Ato udhëtuan me një mjet privat dhe nuk përdorën transportin publik. Ato takuan vetëm një familjar, i cili është vetëizoluar.

Gratë u testuan dje, ndërsa rezultati është bërë i ditur sot. Bashkë me dy rastet e fundit, numri total i rasteve me Covid-19 në Zelandën e Re ka shkuar në 1,506, ndërsa numri i viktimave është 22.

Zelanda e Re ka qenë një histori suksesi për mënyrën si menaxhoi virusin dhe masat e menjëhershme.