Botë

Biden pret që rasti i Floydit ta ndryshojë botën

Foto: Reuters

Kandidati i Partisë Demokratike për president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë se rasti i George Floydit “do ta ndryshojë botën”.

Pas një takimi me familjen e Floydit në Teksas, për t’i ngushëlluar, Bideni ka thënë se vdekja e afro-amerikanit në duart e policisë “është një nga pikat më të mëdha të kthesës në historinë e Amerikës”.

Vdekja e Floydit në duart e policëve ka nxitur protesta në gjithë botën kundër racizmit.

“Ata janë familje e mrekullueshme, vajza e tij e vogël ishte aty, ajo që thoshte ‘babai do ta ndryshojë botën’ dhe mendoj se babai i saj do ta ndryshojë botën”, ka thënë Biden për “CBS”. “Mendoj se ajo që ka ndodhur këtu është një nga pikat e kthesës në Amerikë, për të liritë e njeriut, për të drejtat dhe për trajtimin e njerëzve me dinjitet”.

Protestat anti-racizëm që nisën pas vdekjes së Floydit kanë hyrë në javën e tretë në SHBA. Ato janë zgjeruar në gjithë botën me thirrjet “Jetët e të zinjve vlejnë”.

Biden do të përballet me presidentin amerikan Donald Trump në garën presidenciale më 3 nëntor.