Botë

Sulm me thikë në një kopsht fëmijësh në Kinë, të paktën 39 të plagosur

Të paktën 39 persona janë plagosur pas një sulmi me thikë në një kopsht fëmijësh në Kinë, ka raportuar të enjten media shtetërore.

Zyrtarët lokalë të qarkut Cangwu të rajonit Gaugxi, kanë thënë se 37 studentë dhe dy të rritur kanë përjetuar plagë të shkallëve të ndryshme, si pasojë e sulmit.

Mediat shtetërore kanë raportuar se sulmuesi ka qenë një 50-vjeçar, pjesëtar i sigurisë së shkollës.

Ende nuk janë bërë të ditura motivet e sulmit, derisa i dyshuari është ndaluar dhe hetimet kanë nisur, është raportuar nga mediat, përcjell rel.

Transmetuesi shtetëror, CCTV ka thënë se 39 persona janë plagosur, tre prej tyre seriozisht, duke përfshirë kryetarin e shkollës, një roje të sigurisë dhe një student.

Në disa video të postuara në rrjetet sociale shihen fëmijë me fasha, derisa nisen në qendrat shëndetësore.