Botë

Hong Kongu akuzon SHBA-në për standarde të dyfishta

Liderja e Hong Kongut, Carrie Lam, i ka akuzuar qeveritë e huaja për “standarde të dyfishta” në reagimet të tyre ndaj planeve të Pekinit për të vendosur ligjet për sigurinë kombëtare në këtë qytet.

Në paraqitjen e saj të parë publike që kur Washingtoni ka hequr tretmanin preferencial të Hong Kongut me ligje të SHBA-së pas planeve të Pekinit për ligjin për siguri nacionale, Lam, tha se shtetet që kanë kërcënuar me vepra kundër këtij qyteti do të dëmtojnë vetë interesat e tyre, raporton Reuters.

“Në SHBA jemi duke parë se si po trajtohen trazirat nga ana e qeverive lokale, krahasuar me qëndrimin që kishin kur ndodhnin trazira të njëjta në Hong Kong vitin e kaluar”, ka thënë Lam.

Për shkak të protestave të mëdha, por të dhunshme pro-demokratike në Hong Kong vitin e kaluar, autoritetet në Pekin muajin që shkoi shtynë përpara planin për vendosjen e ligjit i cili dënon ndarjen, kryengritjen, terrorizmin dhe ndërhyrjen nga jashtë.

Presidenti i SHBA-ve kishte thënë se, duke marrë parasysh që Hong Kongu tani nuk është autonom nga Pekini ashtu si ishte premtuar në vitin 1997, kur Britania ia dha këtë ish-koloni të veten Kinës, Hong Kongu nuk do të trajtohet ndryshe nga Kina në ligjet e SHBA-së.

Policia për herë të parë në tri dekada ka refuzuar kërkesën për të mbajtur vigjiljen vjetore më 4 qershor në Hong Kong për të shënuar përvjetorin kur ushtarët kinezë hapën zjarr drejtë protestuesve brenda Sheshit Tiananmen, duke dhënë si arsye brengat e përhapjes së koronavirusit.

Sidoqoftë shumë njerëz në këtë qytet do të gjejnë mënyra për të shënuar 31 vjetorin kur ushtarët kinezë shuan protestat e studentëve dhe shumë njerëz humbën jetën, transmeton KOHA.

Përvjetori i shkeljes së protestave të udhëhequr nga studentët ka rëndësi të veçantë këtë vit për Hong Kongun, ku kritikët ndaj ligjit të ri nga Pekini thonë se kjo ish-koloni britanike do t’i humbë liritë dhe pavarësinë e saj.

“Nuk mund të jem e heshtur. Nëse më thonë të rri e heshtur, nuk mundem” tha Daisy Lam, 52 vjeçe e cila ka marrë pjesë në secilën vigjilje që nga viti 1989.

Vitet e kaluara, përkujtimet më qirinj në Hong Kong kanë tërhequr me dhjetëra mijëra njerëz në parkun Victoria në këtë qytet.

Por policia këtë javë tha se tubimet do të paraqisnin rrezik të madh për shëndetin publik, ngase ky qytet raportoi rastin e parë me koronavirus pas dy javëve.

Hong Kongu ka ndaluar tubimin e më shumë se tetë personave për të parandaluar përhapjen e virusit.

Udhëheqësja e mposhtur e këtij qyteti, Carrie Lam, tha se kufizimet nuk kishin të bëjnë me cenim të lirive por shëndeti publik ishte pjesë e sigurisë kombëtare.

Pavarësisht ndalesës, forume online dhe organizatorët e vigjiljes kanë bërë thirrje që njerëzit të dalin dhe të ndezin qirinj për të përkujtuar ata që janë vrarë.